“Vijmë nga zonat e tërmetit”/ Lirohen nga burgu 5 turqit që u kapën në Durrës me pasaporta false bullgare

Janë liruar nga burgu pesë të rinjtë turq që u arrtestuan në Durrës me pasaporta false bullgare. Ata kanë thënë para gjykatës së Durrësit sot se vijnë nga zonat e prekura nga tërmeti katastrofik në Turqi.

“Jemi nga zona e tërmetit, Kahramanmarash, dhe nuk kemi asnjë njoftim për fatin e familjeve tona atje. Donim të shkonim në Itali. Erdhëm këtej para fatkeqësisë që goditi vendin tonë”, citohet të kenë thenë 5 turqit, sipas Top Channel.

Sot ata dhe shtetasi anglez Joshua Smith dolën para gjykatës së Durrësit, e cila vendosi të lirojë 5 shtetasit turq për të cilët caktoi masën “detyrim paraqitjeje” pranë policisë gjyqësore, ndërsa për shtetasin anglez vendosi garanci pasurore në vlerën e 2000 eurove për lirimin dhe hetimin në gjendje të lirë.

Seanca për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj tyre u zhvillua me dyer të mbyllura nga gjyqtari Vladimir Skënderi.

Shtetasi anglez Joshua Smith mohoi në sallën e gjyqit të ketë marrë para nga turqit, të cilët deklaroi se i ka ndihmuar pasi janë miq të tij.

Edhe shtetasit turq Mehmet Komesogutlu, Mehmet Delice, Ali Atmaca, Hasan Karaoglan dhe Mehmet Hamurkesen, të moshës 19-31 vjecc deklaruan se janë ndihmuar miqësisht nga miku i tyre, ndërsa synonin të shkonin në Itali për të punuar e siguruar të ardhura më të mira për familjet e tyre. Tërmeti tragjik që goditi Turqinë i gjeti në qelitë e paraburgimit, ndërsa janë tejet të shqetësuar për fatin e familjeve të tyre.

Gjashtë të huajt u arrestuan në portin detar të Durrësit gjatë një operacioni policor të koduar “Pasaporta”. Shtetasi anglez Joshua Smith u kap duke i transportuar me një automjet që drejtohej prej tij shtetasit turq që synonin kalimin e kufirit me tragete drejt Italisë, në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrollit, të ushtruar mbi bazën e analizës së riskut, rezultoi se shtetasit turq do të dilnin nga vendi ynë, duke përdorur pasaporta bullgare të falsifikuara të cilat dyshohet se ua kishte siguruar 41-vjeçari anglez.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i shtetasve të huaj, kryesisht nga Turqia dhe vendet e Lindjes të cilët e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e Bashkimit Europian me dokumente false./albeu.com/