PD e çoi për hetim, Bardhi s’tërhiqet: Nesër mblidhet Këshilli Kombëtar online, Basha po kopjon Berishën

Sekretari Ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa i dërgoi sot një shkresë Komisionit të Etikës së PD, nëpërmjet të cilës kërkon shfuqizimin e vendimit të Sekretarit të Përgjithshme, Gazment Bardhi i cili ka bërë thirrje që nesër të mblidhet Këshillit Kombëtar.

Në lidhje me këtë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha në një deklaratë për mediet se nuk tërhiqet nga njoftimi për të mbledhur nesër Këshillin Kombëtar të PD, ndërsa thirrjes për në Komisionin e Etikës, iu përgjigj duke thënë se llogari jep vetëm në Këshillin Kombëtar.

Bardhi theksoi se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të mbahet nesër në 19:00 online dhe kolegët e tij janë të lirë të zgjedhin nëse duan të marrin pjesë ose jo.

Ai tha se caktimi i kësaj mbledhje është kompetencë ekskluzive e Sekretarit të Përgjithshëm. Bardhi tha se sekretari i përgjithshëm i jep llogari vetëm Këshillit Kombëtar dhe thekson se ai do të mblidhet ditën e nesërme online.

Më tej Bardhi tha se Kryesia e PD ka zvogëluar listën e anëtarëve të PD nga 450 në 300 pa asnjë process statutor.

“ Sot s’jam për të komunikuar me ta por me anëtarët e PD dhe mbi 50 mijë të tjerë sepse nuk mendojnë si Lulzim Basha. Në cilësinë time si Sekretar kam dhe do të zbatoj vetë statutin e PD. Qëndrimi im ka qenë i njëjtë 1 vit e gjysmë më parë kur Berisha ndoqi këtë rrugë dhe sot që Basha po ndjek të njëjtën rrugë. Mbledhja e Këshillit Kombëtar është kompetencë ekskluzivë e Sekretarit të Përgjithshëm. Meqë ka patur pretendime dhe për mbledhjen, dua t;iu kujtoj se PD s’ka lindur sot, por ka zhvilluar disa mbledhje online duke i kujtuar kolegëve edhe mbledhjen për miratimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Nuk ka asnjë rregull në statut, që mbledhja do të bëhet në sallën ku duan anëtarët e partisë.Personalisht, por dhe pjesa dërmuese e kolegëve që këtë 1 vit e gjysmë kanë qenë në betejë për t’u ndarë nga mendësia që ‘kush nuk mendon si unë është armiku im’, e kemi besuar realisht atë që kemi bërë. Zhgënjim absolut për kolegët që në fakt tjetër gjë kanë thënë në 1 vit e gjysmë dhe tjetër gjë bëjnë dhe kryejnë gjatë këtyre ditëve”,  u shpreh Bardhi./Albeu.com/


Shtuar 26.07.2023 14:09