“Tregoi se bashkëpunon me Ramën”, Këlliçi dhe Paloka flasin për përjashtimet nga grupi i PD: U hoqën maskat

Edi Paloka dhe Belind Këlliçi kanë folur për përjashtimin e 4 deputetëve nga gurpi parlamentar demokrat nga ana e Enkelejd Alibeajt.

Sipas tyre ky vendim i shërben vetëm qeverisë dhe jo bashkimit të demokrateve dhe e cilësuan si çmenduria e radhës së Enkelejd Alibeajt në shërbim të Edi Ramës

“Është akt mëse i turpshëm, me mungesë dinjiteti nga ai zotëria, por politikisht është heqja e maskave, sepse ai tregoi se është në bashkëpunim me Ramën. Ai mund të vijë një ditë dhe të përjashtojë të gjithë deputetë dhe Rama të vazhdojë lojën me të”, tha Paloka për News 24.

Ndërkohë Këlliçi, i cili ishte mes të përjashtuarve, e krahasoi përjashtimin me dëbim-internimet që bëheshin gjatë kohës së diktaturës.

“Unë nuk e kam bërë këtë autokritikë që ka kërkuar shoku Enkelejd Alibeaj, ndaj gjykoj që komisioni i dëbim internimeve që ka ngritur ai në mendjen e tij paska vendosur të marrë këtë hap totalisht qesharak. Në vend që sot të të ishim emisione dhe të flitej për faktin që e dërguam në SPAK Veliajn, vijmë për shkak të kësaj manovre të Alibeaj, që vetëm opozitarizmit nuk i shërben”, u shpreh Këlliçi.

Kandidati i grupit të Berishës për bashkinë e Tiranës tha se  bëhet fjalë për vendimin e një individi që erdhi në PD si i persekutuar dhe po bën atë që ka bërë partia e punës 45 vite.

Për Palokën, me këto veprime, Alibeaj ia ka kaluar edhe grupit të deputeteve që erdhën në parlament pas djegies së mandateve.

Edhe Ferdinand Xhaferaj, i cili nuk është deklaruar si mbështetës i Berishës, e cilësoi një maskaradë vendimin për përjashtimin e 4 deputetëve.

 

 

“Jam informuar në media, kjo tregon për maskaradën e dimensionit demokratik që ka kjo vendimmarrje, unë jam marrë dhe do vazhdojë të merrem me qeverinë, ka dhe kolegë të tjerë brenda opozitës. Asnjëherë nuk kam votuar për përjashtim kolegësh”, tha ai.

Enkelejd Alibeaj përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-se deputetet Oerd Bylykbashi, Belind Klliçi, Tritan Shehu, dhe Agron Shehaj. Arsyeja për këtë vendim ishte mosdistancimi nga ngjarjet e 8 janarit të një viti më parë në selinë blu.


Shtuar 11.01.2023 15:50