Rusia: Shkatërruam anijen luftarake “të fundit” të Ukrainës

Rusia njoftoi më herët të mërkurën se kishte shkatërruar anijen sulmuese amfibe Yuri Olefirenko në Odesa, në jug të Ukrainës, për të cilën Moska tha se ishte luftanija “e fundit” e Ukrainës që ende funksiononte.

“Më 29 (maj), pas një goditjeje të forcave ajrore ruse me armë të saktësisë së lartë në zonën e Odessa, anija luftarake e fundit e marinës ukrainase u shkatërrua,” njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

AFP nuk ishte në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur këtë informacion. Për momentin, Marina e Ukrainës nuk e ka komentuar njoftimin.

“Yuri Olefirenko” njihej më parë me emrin “Kirovograd”. Ajo u riemërua në vitin 2016 për nder të oficerit ukrainas të vrarë në 2015 pranë Mariupolit. Në qershor 2022, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dekoroi ekuipazhin e anijes për “heroizmin” e tyre në mbrojtjen e vendit./Albeu.com/


Shtuar 31.05.2023 13:26