Piktori i njohur
Mustafa Arapi është infektuar me COVID-19 dhe aktualisht po merr trajtim mjekësor në spitalin “Shefqet Ndroqi”.Lajmin e ka bërë me dije vajza e tij Dorina
Arapi me anë të një statusi në rrjetet sociale. Ajo i bën apel kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që t’i japin
vëmendjen e duhur të atit, që siç e quan ajo është personalitet i kulturës
shqiptare. Ajo shton se i ati është një vlerë për shtetin dhe kulturën.
“Dje babi im,
Mustafa Arapi, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të kovidit, i është prekur një pjesë e mushkërive.
Mustafa Arapi, babai im, është baba e bashkëshort i shkëlqyer, mik, njeri i nderuar, piktor i nivelit botëror, restaurator i shkëlqyer me një kontribut prej 40 vjetësh në fushën e restaurimit. Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura
shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit ’90,
Mustafa Arapi meriton
vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë. I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira!
Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin
vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës
shqiptare. Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën
shqiptare. Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e
vëmendjen! Shpërndajeni këtë mesazh,… kush dëshiron”, shkruan ajo.
Shtuar më 17/01/2021,
ora 16:32