Konfirmohet në detyrë “Felaj” i pestë në Prokurinë e Tiranës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar sot konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranes, Alma Felaj, kunatë  e deputetes socialiste Ermonela Felaj.

Në njoftimin e KPK thuhet se vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Alma Faskaj, z. Olsi Komici relator, znj. Etleda Çiftja anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Alma Felaj është kunata e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj dhe e afërmja e katërt e saj që u emërua në Prokurorinë e Tiranës gjatë viteve të fundit. Aty punojnë gjithashtu bashkëshorti dhe motra e deputetes Felaj si prokurorë dhe vëllai i saj si oficer i policisë gjyqësore.

Procesi i rivlerësimit për Felaj është bërë ex-oficio dhe ajo është shortuar nga KPK për tu vetuar në qershor të vitit 2020.  Prokurorja ka marrë një vlerësim pozitiv nga ILDKPKI, e cila është shprehur se ajo ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare për pasuritë e deklaruara dhe nuk është në gjëndjen e konfliktit të interesit.

Si pjesë e hetimit administrativ, KPK ka marrë në shqyrtim një numër pasurish të luajtshme dhe të paliajtshme të subjektit dhe familjarëve të saj, përfshishrë një automjet Ford Fiesta, një automjet Mercedez Benz, një tokë arë në Fier me sipërfaqe 13 mijë m2, investime në obligacione, si dhe 2 apartamente në Tiranë – një në lagjen ‘5 maji’ të blerë nga i vjehrri dhe një në rrugën e Elbasanit të blerë në bashkëpronësi me vjehrrin.

Për apartamentin e blerë nga vjehrri në lagjen ‘5 maji’ në Tiranë me ndihmën e fëmijëve, KPK ka konstatuar një mungesë burimesh financiare prej 585 mijë lekësh, por që nuk ka ndikuar në vlerësimin e subjektit, pasi kjo pasuri është krijuar përpara lidhjes së martesës në vitin 2009.

Ndërkohë, për një apartament të blerë në vitin 2007, me vlerë 100,000 euro, tek rruga e Elbasanit në Tiranë, KPK është shprehur se subjekti i rivlerësimit dhe familja e saj kanë pasur burime të ligjshme.

Felaj u pyet nga anëtarja e KPK-së, Etleda Çiftja në lidhje me çmimin e blerjes së një automjetit Mecedes Benz, me vlerë 7,500 euro në vitin 2015. Ajo dha shpjegime mbi natyrën rastësore të njohjes me shitësin. Gjithashtu, subjekti rivlerësimit shpjegoi se kishte banuar me qira për një periudhë pas vitit 2017, ndërkohë që shtëpia e saj në Tiranë arredohej.


Shtuar 14.07.2023 13:35