Përmbyllet manifestimi "Epopeja e UÇK-së"
Nisja nga njëra anë e ushtarëve me flakadan nga Kulla e Jasharajve dhe nga ana tjetër e vashave e djemve me veshje kombëtare, të cilët gjithashtu mbanin në duar flakadan që simbolizojnë përkrahjen për UÇK-në, ka shënuar fillimin e “Natës së Zjarreve”. Këta ushtarë e të rinj kanë bërë nderime pranë varrit të komandantit legjendar Adem Jashari, ndërsa pas një programi të pasur kulturor-artistik edhe është përmbyllur manifestimi treditor “Epopeja e UÇK-së.

Mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare që nga orët e mesditës kanë shkuar në Prekaz, për të marrë pjesë në shënimin e këtij manifestimi dhe për të nderuar luftën dhe krenarinë e familjes Jashari, të cilët para 13 viteve luftuan për tri ditë më radhë, më 5, 6 dhe 7 mars, dhe ranë heroikisht kundër makinerisë të ushtrisë armike.

Në këtë rast kryetari i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Muharrem Xhemaili tha se në themelet e lirisë së vendit tonë është jeta që kanë dhënë komandanti Adem Jashari dhe familja e tij dhe gjithën dëshmorët e kombit.

“Pikërisht me datën 7 mars të vitit 1998, 13 vite më parë kur bie komandanti legjendarAdem Jashari” dhe kur mendohej se gjithçka do të merr fund dhe UÇK-ja do të zhbëhej, nga aty populli i Kosovës në përgjithësi iu bashkua radhëve të UÇK-së dhe morën hovin, dhe u realizua amaneti i dëshmoreve deri në një masë edhe pse nuk mund të themi se është realizuar i gjithë amaneti i dëshmorëve”, ka thënë ai.

Xhemaili thotë nuk është punuar aq sa duhet për të nderuar ata që sollën lirinë e vendit dhe për të quar në vend amanetin e dëshmorëve, pro shfaq shpresën e tij që në të ardhmen do të punohet më shumë në këtë drejtim.

“Nuk jemi të kënaqur edhe me atë se çka është bërë për luftën e UÇK-së, për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe për statusin e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Tash 13 vite po bëhen që është vrarë komandanti Adem Jashari dhe ne ende nuk kemi një shtatore të komandantit në kryeqytetin e Kosovës, ende nuk kemi ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës të UÇK-së, ende kemi shumë punë për t’u bërë, e që presin të realizohen”, është shprehur ai.

Ndërkohë, dje është mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendarAdem Jashari” ndërsa liderët më të lartë shtetërorë, politikanë dhe qytetarë të shumtë dje kanë bërë homazhe në Prekaz, duke përkujtuar dhe nderuar sakrificën e Familjes Jashari.

Ngjarja e 5, 6 dhe 7 marsit kujtohet si një ngjarje e madhe për popullin shqiptar, pasi pikërisht nga Prekazi legjendar buruan pushkët e para të lirisë. Sakrifica e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe më shumë se 50 anëtarëve të familjes së tij, të vrarë nga forcat kriminale serbe, është njëra ndër pikat më sublime e cila i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për lirinë nga sundimi i huaj, pavarësisht çmimit të lartë që duhej paguar.

Me manifestimin “Nata e zjarreve” në Prekaz, janë përmbyllur ditët e “Epopesë së UÇK-së”, kushtuar 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të më shumë se 50 anëtarëve të Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Për të pranishmit në manifestimin “Nata e zjarreve” në sheshin “Adem Jashari” në qendër të Skenderajt është dhënë një program i pasur kulturor-artistik. /albeu-agjencitë/
Shtuar më 07/03/2011, ora 22:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori