Pse Rusia u shndërrua në një shtet autoritar:Ishte fajtor Putini apo populli rus?

Nga Serhiy Gromenko “World Crunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Jo shumë kohë më parë, republika e Rusisë ishte ndër më të lirat nga 15 republikat e Bashkimit Sovjetik. Përveç shteteve baltike që kanë qenë gjithmonë të dalluara nga pjesa tjetër, Rusia e fundit të viteve 1980 ishte shtëpia e lëvizjeve më të fuqishme disidente dhe

e një përplasje shumë të ashpër midis progresistëve dhe atyre që ishin më të lidhur me Bashkimin Sovjetik.

Tubimet më të mëdha anti-sovjetike u zhvilluan pikërisht në rrugët e Moskës. Paradoksalisht, rusët gëzonin lirinë më të madhe të mendimit dhe një presionin relativisht më të moderuar nga KGB-ja. “Për atë që në Moskë të presin thonjtë, në Kiev të presin dorën!” ishte në atë kohë një shprehje e zakonshme.

Është interesant fakti se për disa kohë pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, ishte Rusia ajo që e udhëhoqi lëvizjen e de-komunistizimit, me nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Komuniste, riemërtimin e qyteteve dhe hapjen e arkivave sekrete. Po ashtu, Kremlini njohu zyrtarisht ekzistencën e protokolleve sekrete të Paktit Molotov-Ribbentrop (marrëveshja e mossulmimit midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste e nënshkruar pak javë para fillimit të Luftës së Dytë Botërore) dhe fajin e Bashkimit Sovjetik për vrasjen e dhjetëra mijëra njerëzve.

Mes tyre edhe të burgosurit polakë të luftës gjatë Masakrës së Katinit. Pra jeta politike në Rusi ishte duke lulëzuar. Kishte një nivel të paprecedentë të konkurrencës politike, një federalizëm të vërtetë, ndërsa pasuritë e trashëguara nga BRSS, si dhe pozicioni i saj në botë, ishin që të gjitha në favorin e Moskës.

Ishte ndoshta jo vendi më i pasur në botë, por gjithsesi gëzonte respekt dhe premtonte të kishte një nivel të lartë lirie dhe zhvillimi. Kështu shihej nga jashtë dhe brenda. Nga ky këndvështrim është e çuditshme ta shohësh Rusinë e sotme, tejet autoritare, armiqësore ndaj gjithë botës, që po përjeton një degradim të shpejtë në gati të gjitha sferat e jetës.

Dhe retorika ortodokse-komuniste-naziste buron pikërisht nga goja e lidershipit kryesor. Që në viti 1992, ish-presidenti i SHBA Richard Nixon dhe eksperti kryesor mbi BRSS, Richard Pipes, paralajmëruan mbi rrezikun e rivendosjes së diktaturës në Rusi. Në vitin 1995, historiani rus i mërguar Alexander Yanov shkroi një libër me titull “Rusia e Vajmarit”, që parashikonte kthimin e autoritarizmit.

Atëherë, kur u përmbushën këto profeci? Në përpjekjet e tyre për të hamendësuar kohën se kur ndodhi “kthesa e gabuar”, analistët përmendin më shpesh vitet 1999-2000 (Lufta e Dytë Çeçene), vitet 2007-2008 (fjalimi i Putinit në Mynih që refuzoi rendin e pas Luftës së Ftohtë dhe pushtimin pasues rus të Gjeorgjisë) dhe vitet 2012-2014 (protestat e mëdha popullore kundër zgjedhjes së Putinit për një mandat të tretë presidencial, pushtimi dhe më pas aneksimi i Krimesë).

Me pak fjalë, këto janë edhe momentet kryesore të presidencës së Putinit. Pa mohuar rëndësinë e këtyre datave të veçanta, unë mendoj se ky koncept duhet të rishikohet. Sepse jam i bindur që nuk ishte Putin ai që e joshi Rusinë, por vetë populli rus që në thelb e krijoi dhe mbështeti Putinin si udhëheqës.

Është e vërtetë që ai e manipulon ndërgjegjen e publikut si një dirigjent i talentuar, por janë njerëzit e thjeshtë ata që u bien “instrumenteve” të orkestrës. Në zgjedhje të ndershme presidenciale, Putin do të merrte 50-55 për qind të votave, jo vetëm sepse i ka vrarë apo dëbuar nga vendi të gjithë konkurrentët e mundshëm, por edhe sepse shumë rusë të zakonshëm i besojnë marrëzitë e tij në lidhje me Perëndimin, për “vlerat tradicionale familjare” dhe Ukrainën.

Pra Putin u ngjit në pushtet, pikërisht sepse shoqëria ruse në vitin 1999 ishte tashmë shumë e e sëmurë dhe e gatshme t’i dorëzohej një diktatori. Historia tregon raste të ngjashme në Itali, Gjermani dhe Portugali. Kolapsi ekonomik, zhgënjimi me demokracinë dhe joshja e populizmit kanë sjellë shumë tiranë në pushtet.

Dhe Rusia nuk bën përjashtim. Por nëse Putini është një simptomë, jo një sëmundje,

atëherë kush është virusi? Boris Yelstin. I ardhur nga radhët e burokracisë, Yeltsin sfidoi udhëheqjen e lartë dhe vetë sistemin. Më pas, duke u mbështetur tek një popullaritet i vërtetë doli fitues. Ai kontribuoi në rënien e BRSS dhe e njohu pavarësinë e Ukrainës. Boris i kishte të gjitha mundësitë që të hynte në histori si një udhëheqës i shkëlqyer.

Por ai ia shiti Rusinë KGB-së në këmbim të garancive për veten dhe familjen e tij. Dhe nuk kaloi shumë kohë dhe ai nisi të shfaqte tendencat autoritare. Në vjeshtën e vitit 1993, forcat presidenciale sulmuan parlamentin. Unë nuk po e mbroj bandën e nazistëve komunistë që mohuan se Krimea i përkiste Ukrainës dhe që e shpallën Sevastopolin një qytet rus.

Por po them se historia na mëson se parlamenti duhet të mundë mbretin dhe jo anasjelltas.  Pasi fitoi atë luftë civile në miniaturë, Yeltsin e rishkroi kushtetutën ruse, duke u bërë një monark i pakurorëzuar (një “republikë super-presidenciale”). Në atë moment Rusia arriti në kthesën e parë, duke u kthyer nga rruga drejt demokracisë dhe në rrugën drejt autoritarizmit.

Pasojat e menjëhershme të fitores së Yelstin, e cila në të njëjtën kohë e çimentoi rezultatin e saj, ishin Lufta e Parë Çeçene e vitit 1994 dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 1996, të cilat u shënuan nga manipulime dhe mashtrime mediatike të pabesueshme. Yelstin e dinte mirë se disfata do të ishte ndëshkimi ndaj tij për masakrat në Moskë dhe Grozny.

Prandaj ai përdori burimet administrative dhe arriti një marrëveshje me oligarkët për të çimentuar fitoren e tij ndaj Genadi Zyuganov, dhe kjo shënoi bashkimin përfundimtar të pushtetit dhe kapitalit të Rusisë. Edhe emërimi i Putinit si pasues i tij është tërësisht përgjegjësi e familjes Yelstin.

Zgjedhja e Putinit president e bëri të pashmangshëm autoritarizmin. Dëshmi për këtë janë krimet e viteve të para të sundimit të tij, indiferenca çnjerëzore ndaj popullsisë (katastrofa e nëndetëses Kursk, rrethimi i teatrit të Moskës në vitin 2002 dhe masakra e Beslanit) dhe kthimi i disa simboleve shtetërore sovjetike.

Por le të mos e fajësojmë vetëm Putinin. Tek e fundit, rusët u kthyen në rrugën e katastrofës shumë kohë përpara tij. Procesin e përshpejtoi situata makroekonomike. Nga fillimi i vitit 1999 dhe deri në fundin e vitit 2008, çmimet globale të naftës u rritën me një ritëm të paprecedentë.

Dhe Putin ishte një nga përfituesit kryesorë. Pasi shtypi mediat opozitare brenda një kohe rekord dhe e “shtetëzoi” sektorin e naftës dhe gazit, Putin u bë kontrolluesi i fondeve të mëdha. Ai kishte aq shumë para saqë mjaftonin për gjithçka, përfshirë jahtet më të shtrenjta në botë dhe dhuratat për popullsinë.

Asnjëherë në 500 vjet rusi i zakonshëm nuk kishte jetuar aq mirë sa në vitet e hershme të sundimit të Putinit. Dhe në fund ai bëri një shaka mizore me Rusinë. Nëse nuk do të kishte ekzistuar sasia e madhe e naftës dhe nëse njerëzit do të kishin më shumë liri ekonomike, autoritarizmi në Rusi mund të kishte qenë ndryshe.

Por aftësia për të shpërdoruar para majtas e djathtas, dhe për të mbajtur dhjetëra miliona punonjës shtetërore nën një regjim paternalist, e vendosi Kremlinin në rrugën e autoritarizmit të ashpër. Tani, “makina” e ka humbur kontrollin dhe është nisur drejt humnerës. Humbja e Rusisë është tashmë një fakt i kryer. Pyetja e vetme është se kur do ta kuptojnë Kremlini dhe rusi i fundit. /albeu.com


Shtuar 14.02.2023 08:29

Tags: