Përfundon takimi me Bashën, kryebashkiakët e djathtë nuk do ti lirojnë zyrat
Ka përfunduar takimi i kreut të PD-së, Luzlim Basha me krerët e bashkive të djathta.

Pas takimit, të pyetur nga gazetarët nëse do t’i lirojnë zyrat, krerët e bashkive të djathta, janë treguar të prerë, duke theksuar se nuk i njohin zgjedhjet dhe se zyrën do ta lirojnë nëse vjen një kryetar legjitim.

Kryetari ende në detyrë i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, tha se zgjedhjet janë nul, e ndërsa foli për aksionin e opozitës, ai la të kuptohet se është diskutuar për një aksion opozitar që do të vijojë me protesta, kur u shpreh se data është caktuar, por nuk e bëri publike.

"Do ta lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi jonë i zgjedhur sipas ligjit. Kur të ketë zgjedhje jo votime, këto votime nuk i njohim. Ky është vendim i marrë, i bërë i ditur edhe nga opozita nga kryetari, ky është një vendim që e kemi shprehur disa herë këto janë zgjedhje farsë, nul nuk do të njihen. Do vazhdojmë të qëndrojmë në detyrën tonë. Nëse do të vijë të fitojë në zgjedhjet e tjera, ne do ta mirëpresim do t’i dorëzojmë shiritin sipas rregullave. Nuk mbaj me dhunë asnjë zyrë, por do t’i shërbejmë qytetarëve.

Nuk është problemi nëse e kërkon Basha apo dikush tjetër, zgjedhjet janë nul, janë votime për partinë socialiste. Kandidati ka marrë 13 % të votave, aq janë vetë anëtarë të PS-së. ai është kryetari i militantëve të PS-së në atë zonë, nuk është i qytetarëve”, tha Kapllanaj.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu tha se në 30 qershor nuk kishte zgjedhje, ndërsa shtoi se nuk do të lirohen për asnjë moment zyrat për kryetarët e rinj.

"Nuk ka shanse t’i lirojmë zyrat, këto nuk ishin zgjedhje. Zyrat i lirojmë nëse vjen një kryetar legjitim.", tha Mziu.
Shtuar më 03/07/2019, ora 19:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori