Xhaçka merr pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës: Rama u zotua të ndihmojmë në rindërtimin e Irpin

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, e organizuar bashkërisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina, në Londër.

Xhaçka theksoi se Shqipëria do të vijojë ndihmën e saj ndaj Ukrainës, teksa nënvizoi se duke mbështetur luftën për lirinë dhe të ardhmen e Ukrainës, po mbështesim të ardhmen e të gjithë globit.

“Shqipëria do të bëjë gjithçka mundet. Kryeministri Rama është zotuar, së bashku me Malin e Zi dhe RMV, të ndihmojnë në rindërtimin e Irpin. Ne do të ofrojmë mbështetje në nivel lokal, ashtu siç do të vazhdojmë me ndihmën tonë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet, ose me ndihmën tonë në nivel diplomatik”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.

Kjo konferencë, e dyta në llojin e saj, bashkoi qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të treguar mbështetje për rimëkëmbjen dhe prosperitetin ekonomik të Ukrainës.

Në këtë event morën pjesë 60 vende, 40 prej të cilave u përfaqësuan nga krerët e shteteve dhe ministrat e jashtëm. Përgjatë saj, ministrja Xhaçka është takuar me homologë të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Mbretërisë së Bashkuar, Austrisë, Kroacisë, Azerbajxhanit dhe Moldavisë, me të cilët ka diskutuar çështje të sigurisë dhe integrimit.


Shtuar 22.06.2023 09:51