PD reagon për ndarjen nga jeta të ish-ministrit socialist
Për ndarjen nga jeta të ish themeluesit të PS Luan Hajdaraga ka reaguar edhe PD.

Në një mesazh ngushëllimi, PD shkruan se “me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, Partia Socialiste njërin nga ithtarët e evropianizimit të saj, kurse Partia Demokratike një kundërshtar të denjë politik”.

Mesazh i Partisë Demokratike

Partia Demokratike shpreh ngushëllimet e saj më të thella për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës, protagonist i zhvillimeve të së majtës shqiptare gjatë 28 viteve të fundit.

Hajdaraga ishte një kontribues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.

Si nënkryetar i PS dhe më pas si Ministër i Mbrojtjes apo zëvendësministër i jashtëm, Profesori i njohur i psikologjisë dha kontribut në normalizimin e jetës politike në vend, në zbatimin e një diplomacie pa ndikime partiake dhe mori pjesë aktive në aksionin mbarëkombëtar për zgjidhjen e krizës së të shpërngulurve shqiptarë të Kosovës.

Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, Partia Socialiste njërin nga ithtarët e evropianizimit të saj, kurse Partia Demokratike një kundërshtar të denjë politik.
Shtuar më 30/07/2018, ora 20:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori