Vangjeli paralajmëron “bomba” të reja: Nuk kemi parë gjë ende, priten bubullima të forta

Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka folur për skandalin Gjici, duke hedhur dyshime se mund të ketë persona të tjerë që qëndrojnë pas shtetases Alma.K, e cila realizoi videon erotike në zyrën e ish kryebashkiakut të Kukësit.

Vangjeli tha se hetimi mund të nxjerrë detaje të tjera, mes të cilave sipas analistit, do të dëshmohej roli i krimit dhe segmenteve të politikës në publikimin e këtij skandali.

Lorenc Vangjeli: Kam përshtypjen që çfarë kemi dëgjuar është zhurma, është një stuhi që vetëtimën e sheh në Tiranë dhe Durrës, bubullima dëgjohet në Kukës. Është ende herët për të folur. Kush e ka furnizuar dhe frymëzuar këtë makineri? Cilët janë përfituesit?

Logjika dhe informacioni më thonë se nuk kemi parë asgjë akoma. Ka patur një frazë në njoftim, është thënë përveç arrestit të protagonistëve, janë identifikuar dhe personazhe të tjerë që janë pas. Kjo është një nga sprovat më të mëdha të SPAK.

Artan Hoxha: Thelbi është korrupsioni dhe ku ka arritur. Atij nuk i ka vënë njeri pistoletën në kokë që të bëjë këtë gjë.

Lorenc Vangjeli: Nuk i vuri njeri pistoletën në kokë për të zbërthyer pantallonat. Por, po të them, me shumë gjasa kjo do të jetë prova drithëruese për bashkëjetesën e segmenteve të politikës me segmentet e krimit. Tentativa për të përfituar nga posti ka patur dhe do të ketë. Tentativa për të bërë shantazh ka patur dhe do të ketë.

Por mund të kemi provë dramatike të bashkëjetesës së politikës me ato të krimit. Kjo do të thotë, vepra më e rëndë penale i thith të gjithë të tjerat.

Në këtë seri dyshimesh, veprash penale, deri tani ende nuk ka dalë diçka tjetër dhe ishalla nuk ekziston, që të jetë më e rëndë se këto. Deri tani po shohim pjesën e sipërme të ajsbergut. Poshtë, ende nuk e dimë se çfarë ka. Është një simbiozë e frikshme mes krimit dhe segmenteve të politikës. Kjo duhet të na shqetësojë.


Shtuar 27.06.2023 10:19