Osmani pas takimit me Lajçak: Kemi treguar vullnet për shtensionimin e situatës, ofruam zgjedhje të reja në Veri

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot është takuar me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

Në komunikatën e presidencës thuhet se në takim është biseduar për sfidat aktuale politike dhe të sigurisë “me theks të veçantë në veriun e vendit, përpjekjet për deeskalimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”.

Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Ndërsa sa i përket zhvillimeve në veri, Osmani ka thënë se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë.


Shtuar 4.07.2023 17:31