Shkëlqimi dhe rënia e eurodeputetes Eva Kaili

Nga Nektaria Stamouli, Politico.eu

Të hënën e kaluar, eurodeputetja Eva Kaili hapi një qendër të re kërkimore për promovimin e teknologjisë së blockchain në BE. Ekspertë dhe politikëbërës kryesorë nga institucionet e BE-së dhe qeveria greke ndodheshin atje, duke përfshirë Presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola.

“Pjesëmarrja ishte e shumtë”, shkroi Kaili me krenari në Twitter së bashku me disa foto të ngjarjes.

44-vjeçarja, e cila është një nga 14 nënkryetaret e Parlamentit Europian u akuzua për korrupsion në hetimin e skandalit të Katarit, iu pezulluan përgjegjësitë si zëvendëspresidente dhe u përjashtua nga të dyja partia socialdemokrate PASOK në Greqi dhe grupi social- demokrat në Parlamentin Europian.

Eurodeputetja u “kap në flagrancë”, rrethana e vetme që mund të shkaktojë heqjen e menjëhershme të imunitetit parlamentar. Partneri i saj 35-vjeç Francesco Giorgi, asistent i një eurodeputeti italian dhe themelues i organizatës joqeveritare Fight Impunity u burgos gjithashtu dhe u akuzua për korrupsion.

Pasuritë e çiftit, së bashku me ato të familjes së Kailit në Greqi, janë ngrirë. Askush nuk mund ta parashikonte diçka të tillë për njërin prej çifteve ndoshta më magjepsës në Parlamentin Europian, të cilët ishin në kulmin e karrierës së tyre.

Me flokë bjonde dhe me sy blu, Eva nga Selaniku u përfshi në politikë shumë shpejt, duke iu bashkuar PASOK-ut në moshën e butë 14-vjeçare. Një dekadë më vonë në 2002, ajo u bë anëtarja më e re e këshillit të qytetit të Selanikut. Ajo studioi për arkitekturë dhe inxhinieri përpara se të transferohej në kryeqytetin grek dhe u diplomua në çështjet europiane.

Në vitin 2004, ajo konkurroi si kandidatja më e re në zgjedhjet kombëtare. Pavarësisht se humbi, ajo fitoi një pozicion si spikere në kanalin Mega, ku punoi për disa vite. Ajo ishte pjesë e parlamentit grek nga 2007 deri në 2012 përpara se të transferohej në kryeqytetin belg në 2014 për t’u bërë një parlamentare europiane me S&D.

Kaili u bë e njohur falë disa akteve të guximshme, si fillimisht refuzimi për të mbështetur kryeministrin socialist Jorgo Papandreu në një votë besimi vendimtare në mes të krizës financiare të Greqisë në 2011.

Kaili ndryshoi mendje dhe Papandreu ia doli. Ajo është parë shpeshherë me miliarderin greko-rus dhe manjatin e medias, Ivan Savvidis në Selanik në buzuqe, apo klube nate ku ka muzike live.

Kaili pretendoi se gjyshi i saj ishte vrarë nga komunistët, gjë që më vonë rezultoi krejtësisht e rreme. Ajo asnjëherë nuk kërkoi falje. Eurodeputetja social-demokrate u përfshi në axhendën dixhitale gjithnjë e më tërheqëse të BE-së, me dosjet e saj komplekse duke përfshirë inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe blockchain.

Ajo punoi ngushtë me motrën e saj Mantalena Kaili, drejtore ekzekutive e ELONtech, një organizatë joqeveritare që fokusohet në ndikimin e ligjeve në teknologjitë e reja. Eva dhe Mantalena ishin të afërta, ato kanë marrë pjesë së bashku në konferencat e teknologjisë së BE-së.

Duke qenë një nga të paktat gra greke në një post të profilit të lartë europian, Kaili mori mbështetje të gjerë nga mediat lokale. Partneri i saj italian Giorgi punoi gjithashtu si instruktor përveç punës së tij si asistent i një eurodeputeti. Jeta e tij magjepsëse është e dokumentuar në profilin e tij në Instagram, i cili është plot me foto në Sardenjë.

Ai gjithashtu ka udhëtuar në Doha për biznes në 2018. Çifti që nga viti 2020, ata jetonin së bashku me vajzën e tyre të vogël Ariadni, e cila është një vjeç e gjysmë.

Menjëherë pas arrestimit të saj të premten, kreu i PASOK-ut dhe eurodeputeti Nikos Androulakis përjashtuan Kailin nga partia, duke e akuzuar atë se po vepronte si “kali i trojës” për partinë konservatore në pushtet Demokracia e Re.

Ai tha gjithashtu se Demokracia e Re po përgatitej të fuste Kailin në zgjedhjet e ardhshme kombëtare në Greqi. Sipas disa raporteve të mediave, gjatë muajve të fundot Kaili do të kandidonte për kryebashkiake të Selanikut me mbështetjen e konservatorëve.

Zëdhënësi i qeverisë Giannis Oikonomou i hodhi poshtë këto pretendime. Megjithatë, vitet e fundit, Kaili është afruar më shumë me konservatorët.

“Një grua e re dhe një shoqe shumë e mirë, protagoniste në çështjet europiane, është emëruar ditën e djeshme nënkryetare e Parlamentit Europian! Urime”, shkroi në Twitter Grigoris Dimitriadis, i cili së fundi dha dorëheqjen si shef i kabinetit të qeverisë konservatore.

“Kaili ka marrëdhënie shumë të mira dhe ka arritur të fitojë vlerësimin e Partisë Demokracia e Re, madje edhe atë të Kyriakos Mitsotakis”, sipas mediave greke.

Në nëntor, Kaili mbajti një fjalim në Parlamentin Europian duke lavdëruar Katarin, duke lavdëruar sesi organizimi i Kupës së Botës kishte shkaktuar një “transformim historik” në vendin e Gjirit.

Ndërkohë, seanca plenare po përgatitej të miratonte një rezolutë që dënonte trajtimin ndaj punëtorëve migrantë. PASOK u distancua nga qëndrimi i saj.

Gjithashtu në nëntor, nënpresidentja e Komisionit Europian Margaritis Schinas postoi një foto me Kailin në Abu Dhabi. Schinas, komisioneri nga Greqia, është kritikuar nga eurodeputetët për postimet e tij në Twitter për Katarin gjatë muajve të fundit.

Qeveria greke, nga ana e saj, tha se rasti i Kailit është një shembull se pse përgjimi i politikanëve është i justifikuar. Sophie in ‘t Veld, eurodeputetja holandeze liberale e cila është autori kryesor i raportit mbi hetimin e Parlamentit Europian për spyware, i hodhi poshtë pretendimet e tilla. “Kjo është e pakuptimtë,” tha ajo.

Ndonëse Kaili thuhet se ishte një nga politikanët nën mbikëqyrjen e shtetit grek, disa përfaqësues socialistë i kanë kërkuar asaj të heqë dorë nga vendi i saj në Parlamentin Europian./abcnews.al