Pas Ambasadës, reagon Yuri Kim: Mbështesim fuqimisht SPAK
Menjëherë pas reagimit nga Ambasada Amerikane në Tiranë në mbështetje të SPAK për të kryer detyrën si duhet, ka reaguar edhe ambasadorja Yuri Kim.

Në një status në Twitter, teksa riposton statusin e Ambasadës, Kim shkruan se "e gjitha kjo ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur".

"Rastet e rëndësishme shpesh shoqërohen me fushata të shtrenjta për të hedhur dyshime dhe konfuzion, për të blerë ndikim, për të mohuar të vërtetën, për t'i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur - asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne mbështesim fuqimisht SPAK & ASP," shkruan Kim.

Më herët ambasada amerikane në Tiranë, shtoi se SPAK duhet të lejohet të bëjë punën pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.

Sipas ambasadës "profesionistët e sistemit të drejtësisë duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur".

"Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur. Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE," shkruhej në reagimin e Ambasadës.
Shtuar më 07/08/2020, ora 18:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori