Si mund ta shpëtojë Macron presidencën e tij

Nga Andrew Sorota “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Mbrëmjen e 23 marsit, protestuesit i vunë flakën bashkisë historike të Bordosë në Francë. Muajt e demonstratave kryesisht paqësore kundër reformës së pensioneve që po ndërmerr qeveria franceze, kishin nisur të degradonin në përplasje të dhunshme. Po atë ditë, më shumë se 1 milion njerëz dolën në rrugë në mbarë vendin.

Në Paris, ku pati një pjesëmarrje prej rreth 119.000 njerëzish, shpërthyen përleshjet fizike në rrugë midis forcave të policisë dhe demonstruesve të maskuar. Oficerët u qëlluan me kokteje molotov, ndërsa këta të fundit hodhën gaz lotsjellës ndaj protestuesve, duke krijuar një tymnajë që mbuloi gjithë qytetin.

Projektligji mbi reformës e sistemit të pensioneve që ka provokuar një zemërim të tillë, do të rrisë moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç deri në vitin 2030. Për shumë analistë të huaj, zemërimi i protestuesve për këtë ndryshim në dukje të vogël, mund të duket ekstrem ose i pavend.

Ndërsa jetëgjatësia në Francë është rritur, po kështu është rritur edhe presioni mbi sistemin francez të pensioneve. Mbështetësit e reformës, mes të cilëve edhe presidenti francez Emmanuel Macron, thonë se është e nevojshme që sistemi të mbahet në këmbë.

Ndërsa reforma e pensioneve kundërshtohet nga më shumë se 2/3 e qytetarëve francezë, mekanizmi që përdori Macron për ta kryer atë është edhe më jopopullor. Duke e parashikuar rrëzimin e projektligjit në parlament, Macron përdori një dispozitë të veçantë në kushtetutën franceze, e cila e lejon qeverinë të anashkalojë organin legjislativ dhe t’i kalojë projektligjet pa votim.

Ndërsa dispozita – e njohur si neni 49.3 – është brenda kompetencave kushtetuese të presidentit, ajo është në thelb jodemokratike. Në asnjë demokraci tjetër perëndimore, presidenti nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme pa miratimin e parlamentit.

As Urdhrat Ekzekutivë në Shtetet e Bashkuara, nuk kanë të njëjtën shkallë autoriteti ligjor. 82 për qind e publikut francez, nuk e miraton përdorimin e nenit 49.3 nga Macron, përfshirë shumicën e atyre votuesve që e mbështetën atë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë. Nëse Macron ka ndonjë shpresë për të forcuar pozitat e qeverisë së tij, ai duhet të ndryshojë mënyrën se si qeveris, dhe të përfshijë më shumë qytetarë në vendimmarrjen e tij në vend se të anashkalojë shqetësimet e tyre.

Vlerësimi në sondazhe për Macron ka rënë nën 30 për qind, 6 pikë më pak se në dhjetor 2022. Kjo shifër është gati po aq e ulët sa herën e fundit që ai u përball me trazira masive popullore, ishte gjatë protestave të Jelekverdhëve që nisën në vitin 2018.

Ata u ngritën kundër një takse të re për karburantin. Protestuesit argumentuan se taksa do të ndikonte në mënyrë disproporcionale tek votuesit me të ardhura të ulëta dhe votuesit në zonat rurale, të cilët duhej të udhëtonin në distanca të gjata për të shkuar në punë. Pas më shumë se 3 javë protesta të mëdha, Jelekët e Verdhë ia dolën ta detyronin Macron që të anulonte propozimin e tij.

Në të dyja rastet, qytetarët e pakënaqur u revoltuan kundër politikave, të cilat ata i shohin si të padrejta, kundër një sistemi që ata e shihnin si jodemokratik, dhe kundër një elite që ata e shihnin si të pandjeshme ndaj pjesës tjetër. Kërkesat e tyre pasqyrojnë faktin se si demokracia po dështon jo vetëm në Francë, por në mbarë botën perëndimore.

Në një studim të vitit 2014 të kryer në Shtetet e Bashkuara, politologët Martin Gilens dhe Benjamin Page, zbuluan se elitat ekonomike dhe interesat e biznesit kishin një ndikim të madh në politikën publike, ndërsa qytetarët e zakonshëm kishin pak ose aspak ndikim të pavarur.

Gjetje të ngjashme ka pasur në 30 vende evropiane. Në shumë të ashtuquajtura demokraci, fuqia vendimmarrëse është lënë gjithnjë e më shumë në dorën e disa të përzgjedhurve, ndaj shpeshherë politikat nuk përputhen me interesin e publikut. Përdorimi nga Macron i nenit 49.3 është një shembull veçanërisht skandaloz i pengimit të pushtetit të njerëzve, por këto tendenca janë ndërtuar nën sipërfaqe gjatë disa dekadave të fundit.

Prandaj nuk është çudi, që kur Macron dështoi të konsultohej me qytetarët për reformën e tij të pensioneve, hartoi një politikë jashtëzakonisht jopopullore që detyroi daljen në rrugë të qindra mijëra qytetarëve. Macron ka të drejtë që shumë vende, përfshirë Francën, kanë nevojë urgjente për përmirësime themelore të politikave për të luftuar krizat e sotme komplekse, dhe shpeshherë të ndërthurura midis tyre.

Por që të garantojnë një barazi sociale dhe të shmangin pakënaqësinë e publikut, këto politika duhet të konceptohen dhe zbatohen përmes proceseve qeverisëse që zgjerojnë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe jo që e kufizojnë atë. Në vitin 2019, u duk sikur Franca dhe Macron e kishin mësuar këtë mësim.

Në përgjigje të protestave të Jelekverdhëve, Macron nisi atë që ai e quajti Debatin e Madh Kombëtar. Ai udhëtoi në vend për disa muaj, duke u konsultuar drejtpërdrejt me qytetarët se si duhej të zgjidheshin problemet e Francës. Edhe pse ai tur u prit me skepticizëm, garantoi 1.9 milionë këshilla qytetarësh përmes një forumi në internet, 10.134 takime lokale, 16.337 “libra ankesash” të dorëzuara nga kryetarët e bashkive, dhe 27.374 emaile dhe letra drejtuar qeverisë.

Po ashtu, çoi gjithashtu në themelimin e 21 asambleve rajonale të qytetarëve, ku grupe qytetarësh të zgjedhura rastësisht u ngarkuan të diskutonin mbi një temë dhe të prodhonin rekomandime politike apo edhe propozime legjislative. Pas Debatit të Madh Kombëtar, Macron njoftoi krijimin e Konventës së Qytetarëve për Klimën, asambleja e parë kombëtare e qytetarëve të Francës.

Gjatë 9 muajve në vazhdim, 150 qytetarë të zgjedhur rastësisht diskutuan dhe punuan me ekspertë për të krijuar politika, që do të reduktonin emetimet e karbonit në Francë. Konventa prodhoi kornizën më ambicioze të politikës klimatike në historinë e Francës, duke zhvilluar 149 propozime të ndryshme, ku asnjëra nuk përfshinte taksën e diskutueshme të karburantit që kishte nxitur protestat e Jelekverdhëve.

Shumë pjesëmarrës të konventës u zhgënjyen kur disa nga propozimet e tyre u shpërfillën ose u ndryshuan nga parlamenti. Gjithsesi ato propozime përbënin bazën e Ligjit për Klimën dhe Rezistencën, të cilin parlamenti francez e miratoi në vitin 2021.

Por forume të tilla nuk mund të veprojnë më vetëm si një mjet për t’iu përgjigjur zemërimit publik në momente krize. Ato duhet të institucionalizohen përgjithmonë, të zgjerohen në shtrirje dhe frekuencë dhe të integrohen më mirë me publikun. Me fjalë të tjera, duhet të bëhen pjesë normale e qeverisjes së përditshme.

Përndryshe, lëvizjet populiste do të vazhdojnë të forcohen dhe qeveritë do të vazhdojnë të humbasin inteligjencën kolektive të të gjithë popullsisë. Fatmirësisht, teknologjia moderne e bën më të lehtë zgjerimin e pjesëmarrjes demokratike, dhe siguron që qeveria të përgjigjet ndaj të gjithë qytetarëve. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 3.05.2023 09:35