Partia e Fortë: Falenderojmë votuesit veç e veç!
Përmes një deklarate për mediat, Partia e Fortë ka falenderuar të gjithë votuesit e saj, veç e veç.

"Falënderojmë të gjithë ata njerëz që kanë guxuar të votojnë për një subjekt i cili sinqeritetin banal dhe zhveshjen e politikës e ka mjet kryesor të komunikimit; të gjithë ata që e kanë kuptuar se jo-serioziteti nuk është karakteristikë e Partisë së Fortë, por është veçori e të gjitha partive në Kosovë. Falënderojmë 183 votuesit në Mitrovicë, e më veçanërisht ata 136 votues në vendvotimin 3805X/05R në veri të Mitrovicës. Falënderojmë shumë edhe 3 votuesit musketerë në Junik dhe ata 8 votues nga Deçani që kanë vendosur që ta thejnë tabunë në vendbanimin e tyre. Falënderojmë edhe 344 votuesit besnikë nga Prishtina dhe 80 votuesit që kanë votuar në Prizren pa marrë parasysh a i ka pëlqyer idea e “Palidhjes së Prizrenit” apo jo. Shumë jemi mirënjohës edhe për 8 guximtarët nga Drenasi. Falenderojmë 12 apostujt që votuan Fortë në Skënderaj, Viti, Novobërdë dhe Istog", thuhet në komunikatën e PF-së.

Në fund, Partia e Fortë iu jep një sugjerim votuesve të vet në Dragash dhe në Malishevë, ku ka patur në secilën qendër 11 vota për PF-në.

Sipas kësaj partie, do të ishte mirë që këta votues të mblidheshin bashkë dhe të organizonin një lojë futbolli, meqë është edhe Kampionati Botëror. /albeu.com/
Shtuar më 16/06/2014, ora 16:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori