Paralajmërohet arrestimi i zyrtarëve serbë që hyjnë pa leje në Kosovë
Patrikana Pejës
Qeveria e Republikës së Kosovës ka paralajmëruar arrestimin e secilit zyrtar shtetëror serb që hyn të dielën në Kosovë, pa i respektuar procedurat e kërkimit të lejes, shkruan në numrin e sotëm gazeta Koha Ditore.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka paralajmëruar arrestimin e të gjithë zyrtarëve të Beogradit, të cilët do të takohen në territorin e Kosovës gjatë të dielës. Sipas Kuçit, është i vetmi presidenti serb Boris Tadiq, ai i cili ka leje për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të patriarkut Irinej në Patrikanën e Pejës dhe asnjë zyrtar tjetër i Qeverisë së Serbisë. “Vetëm Tadiq ka leje, jo të tjerët, edhe ai me kusht që të marrë pjesë dhe të sillet në përputhje me ceremoni religjioze”, ka thënë Kuçi. I pyetur se si do të veprohet karshi zyrtarëve të tjerë që kanë paralajmëruar ardhjen në Kosovë, Kuçi ka thënë shkurt se ata do të arrestohen. “Do të ndalen dhe do të arrestohen të gjithë ata që do të takohen pa leje”, ka theksuar zëvendëskryeministri.

Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se, përveç presidentit serb Tadiq, në ceremoninë e kurorëzimit do të marrin pjesë edhe politikanë të tjerë. Sipas agjencisë së lajmeve B92, tashmë është bërë plotësisht e qartë që presidenti serb, Boris Tadiq, nuk do të jetë i vetmi politikan që do të marrë pjesë në ceremoni. Lideri i Partisë Progresive Serbe, Tomislav Nikoliq, dhe ish-kryetari i Parlamentit të Serbisë, Predrag Markoviq, sipas B92, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoni. Ndërkohë, gazeta ka marrë konfirmim nga zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë (ICO), se në ceremoni pritet të marrë pjesë edhe ish-kryeministri serb, Vojslav Koshtunica. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e ICO-së, Julia Router, sipas së cilës, Koshtunica ka marrë ftesë nga ati Amfilohije.
Shtuar më 03/10/2010, ora 10:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori