EMRI/ Arrestohet një tjetër pastruese, vodhi mijëra euro në një banesë në Tiranë

Pas Rozeta Dobit, e cila vodhi mijëra euro në shtëpinë e zyrtares Ala Klosit, një tjetër pastruese është arrestuar paraditen e kësaj të shtunë.

Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë Elida Kodra. Ajo u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Gracka”.

Elida Kodra ka vjedhur rreth 2000 euro në shtëpinë e Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, ku punonte si pastruese.

Vetëm gjatë javës së fundit, Kodra ka vjedhur 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj. Në total, iu gjetën në çantë 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.

Deri më tani nuk është bërë e ditur se kush është shtetasi Z.E., ku Kodra kishte punuar. Sakaq mësohet se ka qenë ky i fundit që ka bërë denoncimin pasi ka dyshuar se lekët ia kishte marrë pastruesja.

Prandaj në bashkëpunim me policinë, e ka futur në grackë Kodrën. Ai e ka thirrur sikur e kishte kërkuar që të pastronte, dhe i kishte lënë disa para, të cilat Kodra i kishte vjedhur.

Pasi e kapën zbuluar, kishte pranuar edhe rastin e parë që kishte vjedhur. Arrestimi më i fundit Elida Kodra e çon në tre numrin e pastruesve të përfshira në modën e jo vetëm pastrimit sanitar të shtëpive por edhe të parave cash e bizhuterive.

Njoftimi i policisë 

“Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Gracka”. Vodhi shuma parash në një banesë, vihet në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes së kësaj banese. Sekuestrohen 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në provat e siguruara gjatë një pune të mirëfilltë hetimore për vjedhjen e disa shumave parash, në një banesë në rrugën “Vaso Pasha”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gracka”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases E. K., banuese në Tiranë. Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasja E. K., e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj. Gjatë kontrollit të çantës së shtetases E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj”.

/albeu.com/