HARTA/ Shpërthimi i digës nga rusët sjell pasoja shkatërruese në Ukrainë, rrezik për përmbytje në disa zona

Pasojat e shpërthimit të HEC-it në Ukrainën Lindore nga Rusia parashikohet të jenë shkatërruese. Videot në mediat sociale tregojnë një seri shpërthimesh intensive rreth digës Kakhovka.

Autoritet ukrainase kanë publikuar në rrjet hartën e rrjedhës së ujit, ku sipas tyre disa nga vendbanimet pritet të jenë nën ujë pasi rrjedha të arrijë kuotat maksimale.
Oleksandr Prokudin, guvernatori i Khersonit, rajon në lindje të Ukrainës, ka njoftuar për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet, pas raportimeve se forcat ruse shkatërruan një sigë të lumit Dnjepër në Nova Kahovka.

“Brenda pesë orëve, niveli i ujit do të arrijë një nivel kritik. Ka filluar evakuimi nga zonat e rrezikshme. Unë u bëj thirrje veçanërisht banorëve në bregun e majtë [të Dnjeprit]: bëni gjithçka që është e mundur për ta mbrojtur veten dhe për ta shpëtuar jetën tuaj. Largohuni menjëherë nga zonat e rrezikshme”, tha Prokudin në Telegram.
“Unë mund ta konfirmoj se shpërthimi [ka ndodhur]…. Të gjitha shërbimet janë duke punuar. Situata po monitorohet. Hidrocentrali u hodh në erë nga pushtuesit”, i tha Radios Evropa e Lirë Natalia Humenyuk, zëdhënëse ushtarake për forcat jugore të Ukrainës.

Diga, 30 metra e lartë dhe 3,2 km (2 milje) e gjatë dhe e cila mban ujë të barabartë me Liqenin e Kripur të Madh në shtetin amerikan të Utah, u ndërtua në vitin 1956 në lumin Dnipro si pjesë e hidrocentralit Kakhovka.

Ajo gjithashtu furnizon me ujë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në 2014, dhe centralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili është gjithashtu nën kontrollin rus.

Zyrtarët e vendosur nga Rusia thanë se nuk kishte ende asnjë rrezik për centralin bërthamor të Zaporizhzhia, termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, nga shkatërrimi i digës./albeu.com/


Shtuar 6.06.2023 13:07