Paloka u del kundër ndërkombëtarëve: Nuk kanë qenë normale
Në lidhje direkte me emisionin “Opinion”, Edi Paloka ka folur për marrëdhëniet e Partisë Demokratike me ndërkombëtarët.

Paloka ka thënë se deklaratat e ambasadorëve të huaj në vend, nuk kanë qenë fare normale, ndërsa është shprehur se OSBE-ja duhet të shohë edhe gazetarët që u mbytën nga gazi sot në protestë dhe jo vetëm një gomë të djegur nga opozita.

Fevziu: Si e keni marrëdhënien me ndërkombëtarët?

Paloka: Në radhë të parë, për reagimet që ka pasur brenda për brenda, nuk kanë qenë fare normale. Ne mendojmë, që të kenë qenë vetëm për shkak të kufizimit të informacionit. Ka pasur edhe reagim, që janë blerë zgjedhjet, por nuk kanë ndikuar. Po bëhet tragjike, jo komike. Qëndrimi i zotit Basha ka qenë i qartë, kërkojmë asgjë më shumë që të mbajnë ndaj shqiptarëve atë qëndrim që kërkojnë në vendet e tyre. Deklaratat e tyre kanë qenë publike, edhe përgjigjet tona kanë qenë publike. Sot ne jemi me qytetarët. Interesi më i madh është ku do të shkojnë qytetarët. Po mediat që u mbytën me gaz i panë ata? Duhet t’i shohë edhe OSBE-ja këto.

Fevziu: Do vazhdoni edhe nëse ndërkombëtarët do të jenë të fortë kundër kësaj rruge?

Paloka: Ne e kemi zgjedhur këtë rrugë. Edhe ndërkombëtarët, ju e dini që bojkoti nuk pranohet si parim nga ndërkombëtarët, por absolutisht edhe koha ka treguar se në një moment të caktuar kur gjërat qartësohen, ikin interesat e brendshme këtu të diplomatëve që i kemi parë që lidhen me qeverinë, çdo gjë shkon ku duhet. Nuk ka kthim prapa. 16 shkurti i vuri vulën rrugës sonë.
Shtuar më 27/02/2019, ora 09:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori