Një gomone me 55 emigrantë në bord u shpëtua mesnatën e së premtes nga roja bregdetare shqiptare dhe italiane afër grykëderdhjes së lumit Vjosa.
Sipas dëshmive të
emigrantëve, gomonia u ça nga dallgët dhe për pasojë një pjesë e tyre, kryesisht nga Siria, Irani dhe Egjypti, morën djegie në lëkurë në pjesë të trupit nga benzina që përplasej nga presioni dallgëve.
14 emigrantë u
dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, sipas burimeve spitalore,
ndërsa të tjerët morën ndihmë në spitalin e Vlorës dhe më pas u
dërguan në mjediset policore.
Mes tyre në Vlorë ndodheshin edhe katër gra dhe një fëmijë,
ndërsa mes të lënduarve, që u
dërguan në Tiranë, ishin edhe tre fëmijë të tjerë.
Emigrantët kanë dëshmuar se paguan nga 2 mijë deri në 4 mijë dollarë tek skafistët, që u kishin premtuar se do t’i dërgonin në Itali me jaht.
Sipas burimeve policore,
emigrantët njoftuan vet me telefon policinë e Vlorës dhe të Fierit, pasi kanë qëndruar gati tre orë në det të hapur në rrezik mbytjeje,
ndërsa skafistët i kanë shpëtuar arrestimit nga policia./VOA
Shtuar më 09/01/2021,
ora 14:36