OSBE: Shqipëria ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
Vitet e fundit Shqipëria ka shënuar progres të jashtëzakonshëm për sa i përket procedurave zgjedhore, sistemit zgjedhor, i cili është tashmë shumë afër një ndër sistemeve më transparent, vlerëson OSBE.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore Roberto Battelli në një takim me kryeministri Sali Berisha, ka ndarë vlerësimet më të mira për procesin dhe sistemin zgjedhor në Shqipëri.

Ai ka vlerësuar suksesin e madh që u shënua me pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe sistemin elektronik të Regjistrit të Gjendjes Civile, i cili heq çdo lloj dyshimi mbi identitetin e shtetasve, gjë që e bën procesin zgjedhor jashtëzakonisht efiçent.

Sipas tij kjo u rikonfirmua qartësisht edhe nga raporti OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore 2011, i cili konkludoi se zgjedhjet vendore në Shqipëri ishin tërësisht transparente dhe kompetitive, çka dëshmon për përparimin e jashtëzakonshëm që vendi ka bërë gjatë kësaj periudhe.

Në takim u theksua rëndësia e adresimit të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR si jashtëzakonisht e rëndësishme për një efiçencë edhe më të lartë të sistemit ligjor dhe institucional zgjedhor në Shqipëri, i cili tashmë është provuar përmes dy proceseve zgjedhore të njëpasnjëshme, si një kuadër shumë i mirë, i standardeve më të larta demokratike.

Kryeministri Berisha e siguroi Delegacionin për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për t`i krijuar opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme, në kuadër të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale.

Më tej, Kryeministri Berisha i njohu anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së me reformat e ndërmarra në fusha të tjera si; infrastrukturat e rëndësishme, në fushën e arsimit, shëndetit publik, komunikimeve elektronike, zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta, etj.

Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, z. Battelli, vlerësoi se ecuria pozitive e ekonomisë shqiptare dëshmon qartësisht për politikat e drejta të ndjekura nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe është një faktor i rëndësishëm në promovimin e imazhit të Shqipërisë, si një vend që po punon seriozisht për projektin madhor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Battelli ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të ketë mbështetjen e OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të saj dhe organizatave të lidhura me të. /albeu.com/



Shtuar më 04/10/2011, ora 15:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori