Momenti ka ardhur: Joe Biden duhet t’i japë Ukrainës gjithçka që i nevojitet për të fituar

Nga Simon Tisdall “The Guardian

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Zvarritja, pavendosmëria dhe frika, e kanë karakterizuar qasjen në prapaskenë të Joe Biden ndaj Ukrainës që kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë 15 muaj më parë, gjë që i ka shtuar dyshimet mbi qëndrueshmërinë e mbështetjes së SHBA-së me fillimin e fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2024.

Kontrasti midis Biden dhe lidershipit të guximshëm dhe energjik të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, është shumë i madh. Njëri shqetësohet për fatkeqësinë dhe humbjen. Tjetri mendon vetëm për të fituar. Ngurrimi i Biden për të dhënë një përgjigje të prerë dhe pozitive mbi dërgimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16 të prodhuar në SHBA, e ilustron shumë qartë këtë problem.

Zelenskiy ka kërkuar avionë luftarakë që nga fillimi i luftës. Fqinjët si Polonia ishin dashamirës. Por të frikësuar nga provokimi i një lufte me Rusinë, Biden, këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, dhe zyrtarët e Pentagonit e kundërshtuan publikisht furnizimin me F-16 deri në mars të këtij viti.

Zelenskiy i donte avionët, sepse e dinte se Ukraina ishte e pambrojtur nga ajri. Ndërsa pushtimi vazhdoi, njerëzit e Ukrainës, shtëpitë dhe infrastruktura jetike u goditën pa mëshirë nga raketat ruse. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka shpjeguar se si F-16 apo avionë të ngjashëm mund të mbështesnin sistemet e mbrojtjes ajrore, të reduktonin viktimat dhe mbronin trupat tokësore.

Por ato nuk ishin aty. Po ashtu, Biden dhe Sullivan hodhën propozimet e ish-gjeneralëve amerikanë me përvojë për krijimin e “zonave humanitare të ndalim-fluturimit” të patrulluara nga NATO, fillimisht në Ukrainën Perëndimore, për të mbrojtur civilët nga sulmet ajrore.

Edhe pse pa dyshim të rrezikshme, zona ai ato në operacionet e kaluara në Irak, Bosnje dhe Libi, mund të kishin shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe të pengonin eksodin e refugjatëve. Madje ato mund të bëjnë ende diferencën. Por argumenti i Biden, si atëherë ashtu edhe tani, është se ndërhyrje të tilla, mund të shihen nga presidenti rus, Vladimir Putin, si veprime përshkallëzuese.

Në pamje të parë, një pretendim i tillë duket i arsyeshëm. Megjithatë kjo qasje është më shumë e kujdesshme nga sa duhet. Sepse Putin dhe njerëzit e tij, Dmitry Medvedev dhe Sergei Lavrov, janë të aftë të luajnë me frikën e Perëndimit. Sa herë që paraqiten forma të reja ndihme për Kievin, ata bëjnë kërcënime të tmerrshme, ndonjëherë duke përfshirë armët bërthamore.

Biden duhet të dëgjojë Antony Blinken. Sekretari i tij i Shtetit, ka vënë re një model gjatë vitit të kaluar:paralajmërimet e Kremlinit për hakmarrje dhe konfrontim të drejtpërdrejtë, arrijnë rrallë tek zbatimi në praktikë. Rusët bëjnë zhurmë por kryesisht bllofojnë.

Putini nuk është tërësisht budalla. Ai e di se nuk do të fitonte kurrë një luftë me NATO-n, e lëre më t’i mbijetojë një luftë bërthamore. I dukshëm edhe një model tjetër:pavendosmëria kronike e Biden. Ngurrimi i tij i stërzgjatur vonoi vitin e kaluar furnizimet me raketa anti-ajrore Stinger, bateritë Patriot, raketa me lartësi të madhe me rreze më të gjatë dhe tanket M1 Abrams.

Aleatët evropianë, si Gjermania, përdorën qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë për të justifikuar zvarritjen e ndihmave të tyre. Këto sjellje, mund ta kenë zgjatur pa nevojë luftën. Pranimi më në fund i dërgimit të avionëve U-F-16, i konfirmuar në samitin e fundit të G7-ës në Hiroshima, i hap rrugën trajnimin e pilotëve ukrainas.

Megjithatë, edhe kjo është një dredhi tipike e Biden. Vetë SHBA-ja nuk është zotuar të dërgojë avionë në Ukrainë. Por edhe nëse ndodh, është e paqartë nëse do të jenë modelet më të fundit F-16. Dhe për hezitimin e vazhdueshëm të SHBA-së, ofrohen shpjegime jo bindëse. Gjithsesi ndryshimi i qasjes nga Amerika mbi avionët luftarakë, është një triumf personal për Zelenskiy. Lobimi i tij i palodhur dha frytet e veta. Si një udhëheqës i aftë për të frymëzuar popullin e tij dhe për të ndikuar tek opinioni ndërkombëtar, Zelenskiy bën me turp Biden, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Rishi Sunak.

Për më tepër ai po e ndryshon edhe diskursin strategjik. Politika e SHBA-së ndaj Kinës, veçanërisht ndaj Tajvanit, është forcuar ndjeshëm për shkak të agresionit të Rusisë, por edhe falë suksesit të Zelenskiy në ritheksimin e paprekshmërisë së kufijve territorialë dhe sovranitetit kombëtar si një imperativë e njohur globalisht.

Ndërkohë, pavarësisht nga mbështetësit e saj kryesorë, Ukraina po dikton gjithnjë e më shumë ritmin në fushën e betejës. Sulmet në Rusinë Jugore nga milicia kundër regjimit duke përdorur mjete ushtarake amerikane, një sulm i guximshëm me dron ndaj Kremlinit, sabotazhe, atentate dhe shpërthime misterioze në Krimenë e pushtuar, janë një prelud i mundshëm i kundërofensive vendimtare të Kievit.

Suksesi është jetik nëse synohet të shmanget presioni kinez, por edhe ai franko-gjerman dimrin që do të vijë për të lëshuar tokë në këmbim të paqes. Meqë asnjë prej sfiduesve të tij kryesorë republikanë vitin e ardhshëm, Donald Trump dhe Ron DeSantis, nuk është i përkushtuar të ndihmojë Kievin, Biden duhet të jetë më i guximshëm dhe të bëjë më shumë dhe më shpejt, sepse koha e tij dhe e Ukrainës mund të mbarojë.

Biden e përshkruan luftën si një betejë vendimtare midis lirisë dhe tiranisë. Dhe e tillë është. Prandaj jepini Zelenskiy gjithçka që i nevojitet për të fituar. /albeu.com


Shtuar 29.05.2023 11:52