Opozita në Kosovë po përgatitet për të rrëzuar Haradinaj, ky është skenari
Lëvizja Vetëvendosje e ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së Listës Srpska në procesin e rrëzimit të qeverisë, ndërsa Partia Social-Demokrate ka deklaruar nuk e kanë mohuar ose pohuar mundësinë, duke shtuar se ata janë në pritje të ftesës për koordinim të partive opozitare për rrëzimin e qeverisë.

Sot gjatë ditës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se ata janë të hapur për secilën parti e cila do t’i mbështes ata në rrëzimin e qeverisë, madje edhe të Listës Srpska

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se për ta nuk është me rëndësi se cila etni i jep votat.

"Nuk po flas as për etni as për gjini të deputetëve, sekush që ka gatishmërinë me e përkrah mocionin, derën e ka të hapur. Pa nda etni, nëse një qeveri mund të formohet me votat e çdokujt që është deputet, atëherë pse duhet me qenë pengesë opsioni për rrëzimin e qeverisë nga kushdo qoftë", thotë Beqiri.

Ndërsa dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje dhe Partia Social Demokrate, kanë shprehur vullnetin e tyre për dhënien e nënshkrimeve të tyre për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj.

PSD-ja më herët ka dhënë nënshkrimet e saj, ndërsa LDK e bëri hapin gjatë ditës së djeshme për rrëzimin e qeverisë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, tha se Vetëvendosja deri më tani ka pasur kontakt me LDK-në për mbledhjen e nënshkrimeve, ndërsa për Listën Srpska nuk është diskutuar aspak.

"Deri tani i kemi pasur kontaktet tona me LDK’në për mbledhjen e nënshkrimeve, ndërsa për Listën Srpska as që kemi diskutuar” tha Millaku

Millaku gjithashtu shtoi se kjo çështje varet prej vetë subjektit, "… askush nuk mundet me i ndal të votojnë kundër rrëzimit, por jo në agjendën tonë, Lista Srpska nuk ka qenë as prioritet e as nuk do të jetë. LS e ka të drejtën e vet që ta kundërshtojë ose jo këtë qeverisje" shtoi ajo.

E pyetur nëse rrëzimi i qeverisë do të varej direkt nga votat e Listës Srpska, Millaku tha se kjo çështje nuk është diskutuar brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por theksoi se është e drejta e vetë subjektit politik nëse do e mbështetë ose jo.

Ndërsa i kontaktuar nga Express, drejtuesi për media nga PSD-ja, tha se partia e tyre i ka dhënë më parë nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë, dhe presin që partitë tjera opozitare tjera t’i ftojnë për koordinim në rast se bie qeveria.

"Ne i kemi dhënë nënshkrimet rrëzim të qeverisë, tash e sa kohë. Ndërsa tani jemi në pritje të ftesave për koordinim të mëtejeshëm” tha Hoti.

Për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota.

Aktualisht, as Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës pasi Lista Serbe është larguar nga koalicioni. Mirëpo, Ekzekutivi po funksionon me 12 votat e partisë së Shpend Ahmetit, i cili i ka përkrahur buxhetin e dialogun. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2019, ora 18:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori