Zelensky paralajmëron Kinën: Nëse mbështesni Rusinë, do të fillojë një luftë botërore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi Kinën që të mos mbështesë Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës dhe shtoi se nëse e bën këtë, do të shpërthejë një luftë botërore.

“Për ne është e rëndësishme që Kina të mos e mbështesë Federatën Ruse në këtë luftë”, tha Zelensky në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt.

“Në fakt unë do të doja që Kina të ishte në anën tonë. Për momentin, megjithatë, nuk besoj se kjo është e mundur.

Por unë mendoj se është një mundësi për Kinën që të bëjë një vlerësim realist të asaj që po ndodh këtu. Sepse nëse Kina bëhet aleate me Rusinë, do të ketë një luftë botërore dhe mendoj se Kina e di këtë”, shtoi ai.

Lidhur me Moldavinë, Zelensky i tha Die Welt se Ukraina i kishte përcjellë informacione presidentes moldave Maya Sandu që tregonte se Rusia po planifikonte një grusht shteti në Moldavi.

“Maya Sandu nuk më kërkoi kurrë ndihmë, por ajo më falënderoi për informacionin. Ajo e njeh shumë mirë situatën tonë. Ukraina do të jetë gjithmonë e gatshme të ndihmojë Moldavinë”, shtoi ai.

Kremlini tha sot se marrëdhëniet e Rusisë me Moldavinë janë shumë të tensionuara dhe akuzoi liderët moldavë për ndjekjen e një axhende anti-ruse, një javë pasi Kishinau tha se kishte penguar një përpjekje ruse për grusht shtet. /albeu.com


Shtuar 20.02.2023 14:45