Operacioni antidrogë në Fier: Arrestohen 7 persona mes tyre dy policë
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë arrestuar 2 punonjës policie dhe 5 shtetas të tjerë në Fier.

Ky operacion u zhvillua në kuadër të hetimeve të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2019, për veprën penale “Shpërdorim detyre“ dhe “Kultivim i bimëve narkotike” të parashikuara nga nenet 248 dhe 283 të Kodit Penal, hetim ky disa mujor në të cilin u aplikuan metodat speciale të hetimit, njofton Ministria e Brendshme.policia-tirane_1_3_14_03


Gjatë këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, datë 04.07.2019 për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” ndaj shtetasve:

1. G.B., 48 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kraps, Fier, me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Fier;

2. Z.K., 57 vjeç, lindur dhe banues në Buzëmadh, Fier, me detyrë Agjent i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Fier;

3. B.Xh., 62 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Kryeplak i fshatit Cakran, Fier;

4. G.M., 49 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;

5. I.M., 39 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;

6. E.Sh., 50 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;

7. A.K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran Fier.

Është shpallur në kërkim shtetasi F.C., 68 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier.

Arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi duke shpërdorur detyrën dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e bimëve narkotike, në këmbim të përfitimeve financiare.

Në këtë veprimtari kriminale dyshohet se është implikuar edhe Kryeplaku në Njësinë Administrative Cakran, B.Xh., ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë, “Arrest me burg”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur evidentimi i 3 parcelave të mbjella me rreth 300 rrënjë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa në zonën e Cakranit, si edhe gropa të hapura për mbjelljen e tyre.

Gjithashtu, në vendin e quajtur “Liqeni i Cakranit”, u evidentuan parcela të vogla me 30-50 rrënjë.

Gjatë kontrollit të banesave ndaj shtetasve të mësipërm u evidentuan edhe disa kubikë të mbjella me lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Operacioni vijon për kontrollin plotë të territorit.

Shtuar më 05/07/2019, ora 13:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori