EMRAT/ Gjenden qindra fidanë kanabis në Librazhd, shpallen në kërkim dy kultivuesit

580 fidanë kanabis gati për tu mbjellë janë gjetur nga policia në një zonë të pyllizuar dhe të thellë malore në Librazhd.

Për rrjehdojë policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 shtetas si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie.

Konkretisht Serxho Dosku, 35 vjeç dhe Klodian Dosku, 40 vjeç , pasi dyshohet se do të kultivonin 580 fidanë kanabis në një sipërfaqe toke të pyllëzuar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe 1 automjet, i cili dyshohet se përdorej nga autorët.

Njoftimi policisë

Librazhd/Vijojnë kontrollet, duke përdorur edhe dronë, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Çereshta”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Librazhd, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale dhe ato “Shqiponja”, të DVP Elbasan.

Evidentohen 580 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, gati për t’u mbjellë në një sipërfaqe toke të hapur rishtas në një zonë të pyllëzuar dhe të thellë malore.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe 1 automjet, i cili dyshohet se përdorej nga autorët.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Librazhd, se në territorin e fshatit Koshorisht, Librazhd, në vendin e quajtur “Çereshta” kishin përshtatur terrenin për kultivimin e bimëve narkotike, kanë kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Çereshta”.

Shërbimet e Policisë Librazhd, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale dhe ato “Shqiponja”, të DVP Elbasan, gjatë kontrollit të territorit, duke përdorur dhe dronët e Policisë, bazuar dhe në informacioet e siguruara më parë, në territorin e fshatit Koshorisht, në vendin e quajtur “Çereshta”, gjetën në një zonë të pyllëzuar 580 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa të kultivuar në kubikë gati për mbjellje në një sipërfaqje toke të hapur rishtas për këtë qëllim.

Fidanët u asgjësuan me anë të djegies dhe një sasi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të 2 shtetasve, si autorë të dyshuar të këtij rasti, konkretisht shtetasit S. D., 35 vjeç dhe K. D., 40 vjeç, banues në Librazhd.
Vijon puna për kapjen e këtyre shtetasve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të implikuar, në këtë veprimtari.

Gjatë kontrollit, në afërsi të vendit ku u gjetën fidanët, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një automjet që dyshohet se përdorej nga autorët.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./.albeu.com/


Shtuar 18.06.2023 11:52