Nxënësit e Gostivarit reagojnë ndaj Mjeksisë Ligjore dhe politikanëve
Nxënës dhe mësues të Shkollës së Mesme Ekonomike në Gostivar, kanë reaguar sot përmes një deklarate pas rezultatit të publikuar dje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Klinika e Toksikologjisë në Shkup për analizat rreth helmimit të nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle.

Nxënësit kërkuan nga të gjitha institucionet kompetente që t'a zbardhin rastin dhe partitë politike të mos shfrytëzojnë rastin për përfitime politike.

“Stafi i të punësuarve pranë SH.M.E.K “Gostivar”, reagojnë ashpër ndaj deklaratës së dhënë nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të organeve të jera kompetente, të cilët dhanë deklarata jo të plota në lidhje me rastin makabër të helmimit të nxënësve dhe të punësuarve të kësaj shkolle, që deklaruan se ajo nuk ishte helmim, por vetëm aktrim”, tha mësuesja Jasmina Asani.

“Ne dëshmojmë bindshëm se rasti në fjalë ku dhjetëra nxënës, profesor dhe të punësuar të shtrirë në spitalin e Gostivarit dhe Shkupit u ballafaquan me simptoma të njëjta si: kollitje, lotim i syve, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje etj. Reagojmë edhe njëherë që rasti në fjalë të shqyrtohet mirë dhe të zbardhet deri ne fund, veçanërisht nga “ata te cilët dhanë betimin e hipokratit”.

Lusim mediat dhe partitë politike të mos manipulojnë me rastin për të përfituar politikisht. Partia RDK e cila nuk u solidarizua me nxënësit dhe me të punësuarit e Shkollës së Mesme Ekonomike, por u bashkëngjitet manipulimeve të këtyre mediave, gjoja se helmimi ishte një simulim”, u shpreh Asani.

Nxënësja Sulmedina Mustafa, u shpreh se si nxënës pranë SHMEK “Gostivar” janë të shqetësuar nga ngjarja që ndodhi disa ditë më parë.

“Ende nuk mund ta marrim veten, kemi probleme të ndryshme psikike dhe fiziologjike. Përse na helmuat kur ne jemi ardhmëria e këtij vendi? A thua ne si të rinj kemi faj për konfliktet që ndodhin në shtetin tonë? Disa na mbrojnë e disa na fajësojnë, por ne si nxënës nuk kemi aspak faj, siç e përcaktojnë disa media, se kjo ka ndodhur për shkak të festës së Shën Valentinit.

Përse thoni se kjo që ndodhi nuk ka qenë helmim? Nuk mund të gënjejnë dhjetëra nxënës dhe arsimtar të cilët ishin dëshmitar, dhe kishin pasoja nga helmimi. Ne e kemi shoqen tonë të shtrirë ende në spital dhe nuk dihet se çfarë po ndodh me të. Ne si nxënës kërkojmë nga institucionet përkatëse në kohë sa më të shpejtë të zbardhet rasti dhe në mënyrë sa më profesionale të jepen deklarata rreth ndodhisë”, ka thënë nxënësja Sulmedina Mustafa. /albeu.com/
Shtuar më 19/02/2014, ora 17:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori