Janar-mars, borxhet e bashkive arrijnë në 60 milionë euro, gjysma për punime të papaguara

Borxhet që pushteti lokal ka ndaj të tretëve shënuan rritje të lehtë në tremujorin e parë të vitit raportoi Ministria e Financave.

Stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit mars 2023, i cili parashikohet të shlyhet në një periudhë afatmesme, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha bashkitë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë është rreth 6.02 miliard lekë.

Vlera e stokut të detyrimeve të prapambetura është rritur me rreth 0.06 miliard lekë, krahasuar me stokun e detyrimit në fund të vitit 2022, që ishte 5.96 miliard lekë.

Sipas kategorive, peshën më të madhe të stokut të detyrimeve e zë kategoria “Investime” me 48.3%. Më pas, kategoria “Të tjera” 24.6%, “Shërbime” 12.4%, dhe “Vendime Gjyqësore” 6.9%. Ndërsa sa i përket qarqeve, stoku i detyrimit të tyre përbëhet kryesisht nga vendime gjyqësore, të cilat zënë 95.8% të totalit të detyrimit të qarqeve.

Siç shihet gati gjysma e detyrimeve janë krijuar ndaj kompanive që kanë kryer punime për llogari të bashkive. Detyrimet në këtë zë u rritën gjatë tremujorit të parë pasi pushtet lokal hapi fronte pune më shumë se zakonisht, siç ndodh gjithmonë në prag të fushatave elektorale.

Ministria e Financave raportoi se stokun më të lartë të detyrimeve e ka bashkia Tiranë në vlerën rreth 1.7mld lekë, e cila përbën 28.4% të totalit të detyrimeve.

Më pas, bashkia Kavajë në vlerën rreth 770.5mln lekë, që përbën 13% të totalit të detyrimeve; bashkia Vorë në vlerën e pandryshuar 413mln lekë ose 7% të totalit të detyrimeve; bashkia Durrës në vlerën rreth 340.7mln lekë ose 5.8% të totalit të detyrimeve.

Më pas renditen bashkia Pogradec e Kamëz. Bashkia Kavajë shënoi ulje të stokut të detyrimeve, ndërsa bashkia Tiranë shënon rritje të stokut, krahasuar me fundin e 2022.

Sa i përket qarqeve, stokun më të lartë të detyrimit vazhdon e ka qarku Durrës në vlerën rreth 51.3mln lekë, e cila përbën 50% të totalit të detyrimeve; qarku Berat në vlerën rreth 39.3mln lekë, e cila përbën 38.3% të totalit të detyrimeve; qarku Gjirokastër në vlerën 10.4mln lekë, që përbën 10.1% të totalit të detyrimeve. Më pas renditen qarku Vlorë dhe qarku Korçë. Konstatojmë se qarku Durrës dhe Berat shënojnë ulje të stokut të detyrimeve, krahasuar me fundin e 2022.

Por në fakt borxhet reale të pushtetit lokal janë edhe më të larta po të llogarisim borxhet që kanë krijuar ndërmarrjet e ujësjellësit në administrim të tyre.

Ministria e Financave raportoi se problematikë e rëndësishme mbetet edhe stoku i detyrimeve të akumuluara nga ndërmarrjet UK Sh.a ndaj sektorit të energjisë, kryesisht për shkak të performancës së ulët të pjesës më madhe të shoqërive UK sh.a.

Kështu deri në Maj 2023, OSHEE Group sh.a raporton se detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë rreth 27.8 miliardë LEK. Nga të cilat, rreth 15 miliard LEK janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe 12.8 miliard LEK janë detyrime për kamatëvonesa. Në tabelën e mëposhtme listohen pesë ndërmarrjet që kanë pjesën më të madhe të detyrimeve (principal pa kamata) ndaj OSHEE Group Sh.a deri në 3M 2023./monitor