Kreu i opozitës greke njofton konferencë të jashtëzakonshme, a mori fund SYRIZA?

Kreu i opozitës greke, Aleksis Tsipras , ka njoftuar se do të mbajë në orët në vijim një konferencë të jashtëzakonshme për mediet.

Konferenca e kreut të partisë “SYRIZA” vjen një javë pas raundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare në Greqi, ku fitoi bindshëm partia e djathtë “Demokracia e Re”, e Kyriakos Mitsotakis.

Të dielën e kaluar, Greqia ka mbajtur zgjedhjet e dyta parlamentare brenda një muaji. Partia Demokracia e Re e Mitsotakisit fitoi 40.5 për qind të votave, pothuajse 23 për qind më shumë sesa partia e Tsipras, Syriza.

Mitsotakis njihet për rikthimin e stabilitetit në ekonominë e Greqisë dhe menaxhimin e borxheve. Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata kanë votuar për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta dhe përmirësim të shëndetit publik.

Partia e Tsiprasit, SYRIZA, ka humbur edhe më thellë sesa në zgjedhjet e kaluara, duke fituar rreth 18 për qind të votave./albeu.com/ 


Shtuar 29.06.2023 11:55