Nuk mund të jetë vrarë! Ekzekutimi mafioz i Harizajt shkakton habi tek ata që e njihnin
Vrasja në një atentat mafioz të Edison Harizajt, i njohur si "Il Padriono" në Vlorë i ka kapur në befasi ata që e kanë njohur.

Kjo, pasi Harizaj cilësohej si i paprekshëm mes kokave të krimit në vend nisur nga kujdesi që kishte me daljet në publik, rrethit të gjerë të bashkëpunëtorëve, por edhe lidhjeve të forta me organizata të forta kriminale në vend.

Lajmi për vrasjen e tij ka shkaktuar habi edhe në qytetin e lindjes, pasi qytetarët besonin se ishte i paprekshëm.

"Si ka mundësi? Ai nuk mund të vritej. Dikush e ka nxjerrë në pritë", është tema e diskutimit mes atyre që e njihnin "Edison faqedjegurin" që kishte organizuar ccdo gjë në atë mënyrë që të mos binte kurrë në pritë.

Harizaj ka patur një CV të pasur me krime dhe në Vlorë njihet gjerësisht si person i rrezikshëm, ndërsa dyshohet si përgjegjësi për ekzekutimin e bujshëm mafioz të gjyqtarit Skerdilajd Ikonomi në vitin 2011 në Vlorë dhe zhdukjen e të riut Albano Xhaferit në këtë qytet.

Harizaj ka qenë dënuar në vitin 2000 për një vrasje të ndodhur në vitin 1999, por më pas ka lënë burgun vetëm pas 10 vitesh vuajtje dënimi, pra në 2010-tën.

Harizaj u arrestua më 7 mars 2000, pasi akuzohej dhe më pas u provua se në bashkëpunim me Skedrijald Pashajn kanë vrarë me armë zjarri më 22 Korrik 1999, Erion Ahmetin si dhe kanë plagosur rëndë shtetasit F. D dhe N. R. Edison Harizaj është dënuar me 19 vite burg, dhe më pas është liruar në rrethana të dyshimta.

Për lirimin e tij mësohet se Harizaj ka paguar nën dorë rreth 10 milionë lekë të vjetra. Për këtë akt korruptiv ka rënë në pranga asokohe Flutura Meço, 40 vjeçe me detyrë kancelare pranë gjykatës; i shoqi avokat Almir Meço; inspektoria 45-vjeçare e spitalit të Burgut, Adriana Xeba si dhe biznesmeni shkodran Edmond Kalaja.

Pas këtij episodi, në media emri i Edison Harizajt ka qarkulluar në media kur një i penduar në Vlorë, tregoi për vrasjen dhe zhdukjen e një të riu në këtë qytet.

Gazmend Merkaj, i cili është vetëdorëzuar në 1 gusht 2018 në Policinë e Fierit, vetëm pak orë pasi kishte raportuar në policinë e Vlorës së në makinën e tij BMW, ishte vendosur një sasi eksplozivi, shfaqi gadishmërinë për të treguar një krim të rëndë, siç është vrasja dhe zhdukja e të riut Albano Xhaferit në Vlorë.

Ky i penduar ka treguar se e ka ndjerë veten të kërcënuar për t’u vrarë nga anëtarët e një grupi kriminal në Vlorë, nga Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj. Sipas të penduarit Merkaj, pikërisht këta persona kanë vrarë me çekiç në makinë Albano Xhaferin dhe më pas trupin e tij e kanë zhdukur.

Gjithmonë sipas Merkajt, një veprim i tillë është kryer për llogari të Edison Harizajt. Prokuroria e Vlorës ka arritur në konkluzionin se bazuar në veprimet e para hetimore, rezulton se Albano Xhaferi është vrarë për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të ketë pasur brenda ose jashtë vendit me persona të tjerë dhe trupi është transportuar dhe fshehur për të bërë të pamundur zbardhjen e ngjarjes.

Sipas këtij dëshmitari, Merkaj është futur në makinë, goditur me çekiç në kokë duke ndërruar jetë dhe më pas është dërguar në garazhet në posedim të Edison Harizajt, në kompleksin “Oslo”, për llogari të këtij të fundit.

Ai ka shpjeguar se është kryer me urdhër të Edison Harizaj, për shkak se Albano Xhaferi ka pasur dijeni për autorët e tentativës së vrasjes së Ferdinant Llanaj në muajin tetor të vitit 2017. /albeu.com/

Shtuar më 07/11/2018, ora 16:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori