"Nuk ma japin urdhërin e mbrojtjes se duan fakte", gruaja rrëfen dhunën e 9 viteve
Gjatë emicionit “Tonight” një grua ka rrëfyer historinë e abuzimit të saj prej 9 vitesh nga ish-burri i cili ishte i alkoolizuar.

Ana, (emër jo i vërtetë) kështu quhet nëna e 5 fëmijëve që bashkëjetoi me terrorin për vite me rradhë, solli dëshmi tronditëse të dhunës së përjetuar nga ish-burri i alkoolizuar.

Tare: Të falenderoj që zgjodhe studion e Tonight për të rrëfyer historinë tëndë të dhimbshme të dhunës përreth 9 vjet që nga momenti që je fejuar e më pas je martuar me bashkëshortin dhe e ke divorcuar dy vjet më parë.

Ana: Po.

Tare: Më trego pak historinë tëndë.

Ana: U njoha me shkuesi, ishte shumë i dhunshëm, pinte alkool dhe nuk më linte të dilja nga shtëpia. Kërkonte gjëra që nuk ishin sepse ai shpenzonte nëpër klube. Më rrihte, shante, nuk më linte të takoj familjarët.Nuk kisha guxim ti thoja as familjes që të mos i përplas familjet bashkë. Dhe nga shteti nuk kisha besim, kisha frikë se kthehem prapë dhe ma bën dhe më keq.Jetova për 9 vite.Dy herë u shkëputa dhe ika tek familja ime, u ktheva prapë me shpresën se po ndryshon. Ai nuk ndryshoi dhe më keq ma bëri.Denoncimin e fundit që bëra ishte pas 9 vitesh. Nuk e duroja dot më. Filloi të rrihte dhe fëmijët, pinte alkool dhe vinte në shtëpi.E denoncova vetë.

Tare: Po thua gjëra shumë të rënda dhe unë e kuptoj se fatkeqësisht je mësuar dhe me dhunën, e ke duruar shumë. 9 vjet janë shumë për të duruar dhunë mbi veten tënde dhe fëmijët e mitur. Pse kaq shumë?

Ana:Ku të shkoja? Do ta denoncoja në polici, ai do vinte prapë në shtëpi. Do dënohej tre muaj, do vinte prapë. Më keq do bëhej puna. Dy herë që e denoncuan lagjia që panë shamatë në shtëpi, shkoi në klub me policin e zonës dhe i rregulloi gjërat. Makina e policisë që erdhi në lagje, iku.Nuk erdhi të më shihte mua në shtëpi si isha e dëmtuar.Isha e larë në gjak në shtëpi. Kur erdhi nga klubi në shtëpi më keq ma bëri. Nuk më bën gjë shteti mua, më tha. Pse më denoncove? Edhe më keq, edhe më zi. Mbeta pastaj, ku të shkoja me fëmijët. Në shtëpi nuk më linte, familjarët e tij më thoshin ik se e ke denoncuar, e ke çuar burrin në burg. Mbeta mes rrugëve.U dorëzova në një shoqatë dhe shoqata më solli në Tiranë.

Tare: Çfarë ndodhi në momentin kur ti vendose të mos e falësh më?

Ana: Më lau në gjak, më rrahu fëmijët, i hodhi përtokë, bërtisnin kur më shihnin mua të larë në gjak. Nëse nuk bënte gjë shteti do mbytesha në ujë, nuk kthehesha mbrapsht.Nuk kthesha të takohesha me të.Ika e gjakosur, fëmijët i lashë në shtëpi se kisha frikë që më del para dhe më mbyt mua dhe fëmijët.Mos ta kuptonte që ika unë. Shkova dhe denoncova në polici.Më panë dhe më çuan në spital, ku qepa kokën.U ktheva dhe u thashë të më çojnë tek fëmijët, kisha hall ku i lashë. Më sollën në shtëpi. Më shoqëruan policia.Pastaj e arrestuan.

Tare: Çfarë ndodhi pastaj, e padite?

Ana: Po.Për dhunë. E kishte për tu dënuar 3-6 vjet por doli për 3 muaj.

Tare: Çfarë ndodhi, u largove nga qyteza dhe kërkove ndihmë?

Ana: Kërkova ndihmë tek një shoqatë, më dhanë urdhëmbrojtjen, më sollën këtu në Qendrën e grave të dhunuara. Jetova 9 muaj bashkë me fëmijët. Por prapë mbeta mes rrugëve me fëmijët.Urdhërmbrojtjen e kisha për një vit. Kam kërkuar sërish por nuk ma kanë dhënë, më thonë sill faktet. Faktet është kur të vdes, ose kur të çaj prapë kokën. Kisha disa fakte por nuk i pranuan.

*****

Tare: Ana, çfarë do ti?

Ana: Unë një strehim për fëmijët e mi që të mos mbetin rrugëve dhe një punë që të jetoj bashkë me ata fëmijë.

Tare: Në shkollë janë fëmijët?

Ana: Tre janë në shkollë, dy janë në kopsht. Shkojnë rregullisht.

Tare: E mendon ndonjëherë të kthehesh me ish-bashkëshortin për hir të fëmijëve?

Ana: Jam larguar tri herë dhe jam kthyer dhe asnjëherë nuk ka ndryshuar dhe unë kam frikë.

Tare: Mund të takohesh me ndokënd që mund të jetë partneri yt?

Ana: Nuk bëhet fjalë. Të fund ndokënd midis 5 fëmijëve të mi. Ata do të gëzojë. Për ata jetoj.

Tare: Frikë ke?

Ana: Kam frikë si nuk kam. Çka të bëj.

Tare: Të ka kërcënuar ish-bashkëshorti?

Ana: Kërcënon vazhdimisht, ofendon, egërsohet. Faleminderit!

Tare: Urime edhe ty për kurajën! /Mapo/
Shtuar më 05/09/2017, ora 14:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori