"Nuk lahen duart si Ponc Pilati", politika shqiptare në kërkim të famëkeqit
Ditën e sotme, përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi në një konferencë për media se modeli shqiptar i koalicioneve, është modeli që ka Italia sot në fuqi.

Për këtë deklaratë, ka reaguar përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i cili ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Ndër të tjera, Gjiknuri shkruante se nuk ka njeri ta besojë se opozitës “i kishte shpëtuar pa dashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit.”

Gjiknuri shton se PD po mundohet “të kryejë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati.”

Të njëjtën shprehje, ka përdorur dhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një intervistë me gazetarin Endri Xhafo, më 28 shtator. Në qendër të bisedës ishin koalicionet dhe listat.

Duke iu referuar ndërkombëtarëve dhe rolit të tyre në marrëveshje si ajo e 5 qershorit, Vasili u shpreh:

“5 Qershori ka pasur një themel shumë të fortë të ndërkombëtarëve. Dhe, asnjë ndërkombëtar sot, pas investimit që bëri, nuk mund të lajë duart si Ponc Pilati në lidhje me këtë marrëveshje. Pasi, ulja në tavolinë, dakordësimi i 14 janarit ka qenë një proces i gjatë nuk ka qenë proces që ka filluar në një ditë… Pas një reflektimi që ata patën, sepse duhet të dini që patën një reagim jorealist me djegien tonë të mandateve…sot të gjithë duhet të kuptojnë që gjithë veprimet që opozita bëri për të mirë të vendit, për fat të keq të atyre që u treguan jo-vizionare, ju dukën si veprime të forta të pajustifkuara…Ndërkombëtarët janë detyruar sot të ndryshojnë qëndrim…”

Si duket, “larja e duarve” nga Ponc Pilati është një shprehje e përdorur shpesh së fundmi nga aktorët politikë. Po kush është Ponc Pilati, dhe çfarë kuptimi ka larja e duarve në këtë rast?

Mesa dimë nga historia, Pilati është një figurë historike që lidhjet me kryëqzimin e Krishtit. Për disa, ai është një shenjt, për të tjerë mishërimi i dobësisë njerëzore, një shembull tipik i politikanit që është gati të flijojë një njeri për hir të stabilitetit.

Ajo që e bëri famëkeq Pilatin, ishte hetimi që i bëri padisë që kishte ngritur kryeprifti dhe pleqtë judenj ndaj Jezuit, ngaqë e paraqiste veten si Mbret.

“Ndoshta Pilati donte të bënte atë që ishte e drejtë, por donte edhe të mos vinte kokën në rrezik e t’i bënte qejfin turmës. Në fund, vendosi karrierën e tij para ndërgjegjes dhe drejtësisë. Kërkoi ujë dhe lau duart, duke pretenduar se ishte i pafajshëm për vdekjen që sapo kishte miratuar.*

Edhe pse besonte se Jezui ishte i pafajshëm, Pilati dha urdhër që të qëllohej me kamxhik dhe i lejoi ushtarët që ta tallnin, ta goditnin dhe ta pështynin.”

Sipas PD, Ponc Pilati janë ndërkombëtarët ndërsa sipas PS, Ponc Pilati janë demokratët, po sipas jush: Kush është Ponc Pilati në të vërtetë?


Shtuar më 04/10/2020, ora 21:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori