Nuk justifikoi 39 mijë euro pasuri, vettingu përjashton një tjetër prokuror
Një tjetër vendim përjashtimi nga Drejtësia është marrë këtë të hënë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për një prokuror. Bëhet fjalë për Bujar Hotin, ndaj të cilit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte dhënë të njëjtin vendim kohë më parë.

Por vetë ai u ankua dhe për fat të keq edhe shkalla e dytë e vettingut vendosi për të përjashtimin nga radhët e drejtësisë.

Vendimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkarkimin e prokurorit Hoti është marrë më 10 shtator të 2018 për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelit i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Albana Shtylla relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, anëtarë, vendosi të mbajë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e prokurorit të Apelit Durrës, Bujar Hoti, i cili kishte hedhur kandidaturën për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Gjatë rivlerësimit të tij në 3 aspekte atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale, Hoti “ngeli” në atë të pasurisë duke mos justifikuar dot burimin e përfitimit të mijëra metra tokë buzë detit, kontratat fiktive dhe apartamentet me kredi. Kjo ka bërë që procesi i dytë i vettingut ta nxjerrë atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Sipas vlerësimit të bërë nga KPK, ku vendosi edhe për shkarkimin e prokurorit Bujar Hoti, thuhet se ai ka kryer deklarim të rremë dhe kondratitore për pasurinë e tij, konkretisht: për çmimin e blerjes së pasurisë apartament banimi dhe shtesë të tij me sipërfaqe totale 187 m², ka kryer fshehje të pasurisë/likuiditetit në vlerën 20.000 euro, si pagesë e këstit të parë, të pasurisë apartament banimi, me sip. 157m², dhe burimin e ligjshëm të tij, ka fshehur burimin e ligjshëm të depozitës pranë bankës “NBG Bank” në vitin 2004, në vlerën 39.000 euro; nuk ka një titull të ligjshëm për përfitimin e pasurisë toke arë, prej 4.000 m2, Deklarim i pamjaftueshëm i pasurisë së plotë në përdorim vitit 2007, 2008, 2015, nuk justifikon mënyrën e pagesës në kontratën e shitblerjes për pasurinë shtëpi banimi me sipërfaqe 85.4 m²; fshehje të blerjes së automjeteve që ka ndryshuar etj. duke mos arritur të kalojë dot testin e parë të vettingut.

Këto prova duket se kanë qenë të mjaftueshme edhe për KPA, e cila deklaroi se prokuroi Hoti përmes këtyre veprimeve cenojnë besimin e publikut duke miratuar në mënyrë përfundimtare shkarkimin e tij.
Shtuar më 16/09/2019, ora 17:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori