Forcimi i Lekut tkurr sektorin bankar, në pesë muaj vlera e aseteve ka rënë me 8 miliardë lekë

Forcimi i lekut dhe stanjacioni i depozitave e kanë frenuar rritjen e sektorit bankar në pjesën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të sektorit bankar në fund të muajit maj kishte vlerën e 1.9 trilionë lekëve, rreth 8 miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit të kaluar.  Megjithatë, me bazë vjetore bilanci i sektorit bankar ka vijuar të rritet, me 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Mes fundit të vitit 2022 dhe fundit të muajit maj, kursi i këmbimit Euro-Lek ka pësuar rënie me 4%, duke ndikuar në uljen e vlerës së aktiveve në monedhën europiane të sektorit bankar.

Tendencë të ngjashme në rënie ka shënuar edhe Dollari Amerikan.

Aktivet në valutë të huaj janë mbizotërues në strukturën e aseteve të sektorit bankar, me më shumë se 53% të totalit.

Portofoli bruto i kredisë (pa zbritur provigjionet për kreditë me probleme) në fund të muajit maj kishte vlerën e 744.3 miliardë lekëve. Kjo shifër përfaqëson rënie prej 1.1% krahasuar me fundin e vitit 2022, por megjithatë vlera e portofolit ngelet në rritje me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se në segmente të veçanta kreditimi i ekonomisë po vazhdon të rritet, pavarësisht kushteve më të shtrënguara monetare. Megjithatë, në tërësi, ngadalësimi i kredisë së re dhe efekti negativ i kursit të këmbimit e kanë frenuar ndjeshëm rritjen e portofolit të kredisë.

Nga ana tjetër, kjo reflekton edhe një zhvendosje të fokusit drejt investimeve me rrezik më të ulët, kryesisht tek letrat me vlerë. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i letrave me vlerë të sektorit bankar në fund të muajit maj arriti në 724.4 miliardë lekë, në rritje me 3.7% që nga fillimi i vitit dhe me 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e normave të interesit ka bërë që bankat tregtare të rrisin ndjeshëm investimet në letra me vlerë, si në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare, ashtu edhe në ato emetuesve jorezidentë.

Vala inflacioniste e vitit të kaluar solli një frenim në ritmet e rritjes së depozitave bankare. Depozitat u rritën kryesisht në Euro, ndërsa ato në Lekë prej më shumë se një viti kanë ecuri stanjative. Inflacioni i lartë e tkurri aftësinë e familjeve për të kursyer, ndërkohë që një ndikim pati edhe konkurrenca nga yield-et e larta të bonove dhe obligacioneve qeveritare.

Ndërkohë, segmenti i depozitave në Euro ka vazhduar të rritet, por është ndikuar negativisht nga efekti i kursit të këmbimit. Duke qenë se depozitat janë burimi kryesor i financimit të aktivitetit ndërmjetësues të sektorit bankar shqiptar, rënia e tyre ka frenuar potencialet e rritjes së sektorit. Në fund të muajit maj, totali i depozitave bankare kishte vlerën e 1.513 trilionë lekëve, në rënie me rreth 5 miliardë lekë që nga fillimi i vitit./monitor