Nëse do të bjerë termet, e dini sa rrezikohet Shqipëria?
Të dhënat historike tregojnë se tërmetet kanë shkatërruar krejtësisht disa herë Durrësin, teksa lëkundjet sizmike renditen të parat për katastrofat që mund t’i krijojnë vendit fatkeqësitë e tjera natyrore.

Shqipëria renditet e 43-ta në botë për rrezikun nga tërmetet, ndërsa lëkundjet shkatërruese mund të shfaqen çdo shekull. Ekspertët tregojnë se vendi nuk ka as fondet e as infrastrukturën e mjaftueshme për të përballuar dukuri të tilla, raporton gazeta Panorama.

Objektet që rrezikojnë shembjen
Studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri.

Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960.
Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara.

Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike, ndërsa ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve.

Studimi tregon se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave.

Skenarët shqiptarë të tërmeteve
Nga vlerësimet e rrezikut sizmik rezulton se tërmetet me magnitudë 5,0 kanë një periudhë përsëritje prej 3.6 vjetësh, ndërsa tërmetet 5.5, 6, 6.5 dhe 7 ballë kanë një periudhë përsëritje 10, 29, 94 dhe 505 vjet.

Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit, nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë dhe një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë.

Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë–Ulqin, ku rrezikohen qytetet shqiptare të Shkodrës dhe Lezhës dhe qyteti Petrovac i Malit të Zi. Këto zona janë goditur nga tërmete 6-7 ballë në vitet 1905, Shkodra, në vitin 1985; Lezha me 6 ballë dhe në vitin 1979 Petrovaci me 7.2 ballë, që dha efektet gati në të gjithë Shqipërinë.



Shtuar më 04/09/2016, ora 12:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori