Nishani: Situata drejt përkeqësimit, shteti në këmbë
Ministri i Punëve të Brendshme Bujar Nishani, njëkohësisht edhe kreu i komitetit ndërministror për emergjencat përcolli në Kuvend një informacion të detajuar në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq në disa zona të vendit.

Sipas ministrit Nishani, qeveria ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka në dispozicion resurset dhe kapacitetet e mjaftueshme për ta kaluar këtë situatë të vështirë.

“Presim një përkeqësim të motit në ditët në vazhdim. Komiteti Ndërministror do të jetë pranë qarqeve problematike. Mirëpresim edhe bashkëpunimin nga qeverisja lokale", tha ministri Nishani.

Ndërkohë, ministri Nishani bëri të ditur se prej disa ditësh reparti RENEA ka nisur operacionet në komunat e bllokuara, ku po shpërndahen ndihma ushqimore, medikamente dhe po evakuohen banorët në vështirësi.

“Është bërë e mundur të ndërhyet në disa komuna, duke evakuuar qytetarë në nevoja dhe duke ndarë disa ndihma parësore. Jemi të gatshëm të ndërhyjmë për evakuim në çdo rast", u shpreh Nishani.

Ndër të tjera, Ministri i Brendshëm theksoi se qeveria është në këmbë dhe të gjitha ministritë janë të angazhuara për tu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. /albeu.com/
Shtuar më 09/02/2012, ora 16:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori