Komisioni i Pavarur i Kualifikimit fillon këtë javë seancat dëgjimore ndaj
kandidatëve për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion, ndërsa të parët që do përballen me hetimin e trefishtë janë Shkëlzen Cena nga Prokuroria e Dibrës dhe Ened Nakuçi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Një muaj më parë, KPK ndaloi hedhjen e shortit për subjekte të tjera dhe pritet që gjatë muajve në vazhdim të zhvillohen seancat me 25
kandidatët e SPAK-ut, në mënyrë që të hapet rruga për ngritjen e këtij institucioni. KPK njoftoi se Shkëlzen Cena do të dalë para trupit gjykues, të përbërë nga Firdes Shuli, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bekteshi, ditën e mërkurë. Ndërsa hetimet për Ened Nakuçin janë kryer nga trupi gjykues i përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.
Ai do të dalë në seancë dëgjimore, ditën e enjte, në datë 6 qershor. Disa muaj më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi miratoi listën zyrtare të
kandidatëve, ia dërgoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si listë prioritare. Së bashku me
kandidatët e SPAK, në seancë dëgjimore gjatë këtyre javëve do të dalë edhe kandidati për Prokurorinë e Përgjithshme.
KLP
Komisioni i Posaçëm, i ngritur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për verifikimin e
kandidatëve për SPAK, bëri të ditur se
kandidatët që plotësojnë kushtet
ligjore dhe mund të vazhdonin procesin e rivlerësimit ishin: Altin Dumani, Anita Jella, Anton Martini, Arben Kraja, Behar Dibra, Besim Hajdarmatja, Besnik Muçi, Doloreza Musabelliu, Donika Prela, Dorina Bejko, Dritan Prençi, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Elizabeta Imeraj, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Eugen Beçi, Klodian Braho, Maksim Sota, Manjola Kajana, Ndini Tavani, Shkëlzen Cena, Vatë Staka dhe Vladimir Mara.
Vlerësimin e kritereve
ligjore,
Komisioni i Posaçëm e bëri në një mbledhje të zhvilluar në datën 3 prill të këtij viti, në prani të përfaqësuesve të Operacioneve të Monitorimit Ndërkombëtar. Fillimisht, është vlerësuar përputhshmëria me bazën
ligjore të çdo kandidati dhe më pas u kalua çdo dosje në shqyrtim nga çdo anëtar i komisionit. Me secilën dosje u njohën edhe përfaqësues të monitorimit dhe, bazuar në rregulloren në fuqi,
Komisioni vendosi të bëjë vlerësimin paraprak të të gjithë
kandidatëve për të përcaktuar nëse plotësojnë kushtet
ligjore për ngritjen në detyrë.
PËRJASHTIMET
Pas vlerësimit të kushteve
ligjore për 28
kandidatët fillestarë,
Komisioni i Posaçëm në KLP skualifikoi aplikantin Gëzim Cenaj, pasi nuk plotëson kushtet
ligjore për të vijuar garën. Konkretisht, nga studimi i dokumenteve të paraqitura rezultoi se nuk kishte qenë asnjëherë prokuror. Ndërkohë, për aplikantët Fatmir Hoxha dhe Irena Nino
Komisioni vlerësoi se të dy
kandidatët kanë qenë prokurorë të Republikës së Shqipërisë dhe secili prej tyre ka një vjetërsi mbi 10 vjet në sistem. Të dy
kandidatët janë larguar nga sistemi me kërkesën e tyre. Por pavarësisht plotësimit të disa kritereve,
Komisioni vlerësoi se hyrja në sistem e ish-prokurorëve është një proces i ndryshëm nga ai i ngritjes në detyrë, duke bërë që të skualifikohen.
Shtuar më 04/06/2019,
ora 20:57