Deputeti ukrainas përsërit thirrjen: Të njohim pavarësinë e Kosovës

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, ka bërë thirrje sërish që vendi i tij që të njohë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Projekt-rezoluta përkatëse nr. 7638 u regjistrua më 5 gusht, por teksti i saj aktualisht nuk është i disponueshëm në faqen e internetit të parlamentit ukrainas.

Në të njëjtën kohë, deputeti në kanalin e tij Telegram theksoi se në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pranoi se e drejta për sovranitetin shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, nuk shkel asnjë rezolutë dhe akte ndërkombëtare.

“Nuk është më kot që 22 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, për të cilat ne po përpiqemi, e kanë njohur tashmë Kosovën. Kosova njihet edhe nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe. Prandaj, hapi i qëndrueshëm i Ukrainës do të jetë njohja e sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe shprehja e mbështetjes ndërkombëtare”, ka shkruar Goncharenko.

Në të njëjtën kohë, deputeti theksoi se “situata mes Ukrainës dhe pseudorepublikave Luhansk Donetsk nuk është e njëjta situatë si në Kosovë dhe Serbi”.

“Ky është momenti kur Kosova ka vërtet të drejtën e pavarësisë”, shtoi ai.

Kosova njihet nga 97 vende anëtare të OKB-së. Ukraina, nga ana tjetër, nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me njohjen ligjore të pavarësisë së Kosovës dhe e konsideron rajonin si pjesë të territorit të Serbisë.