Dhuna e Rrajave për guroren dhe denoncimi i banorëve, Prokuroria e Tiranës nis hetimet

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për dy procedime penale për “shkatërrim prone” pasi anëtarë të fisi Rraja dhunuan barbarisht kushërinjtë Maja.

Edhe pse banorët e Borizanës kanë denoncuar prej kohësh se gurorja po i dëmton shtëpitë, Prokuroria nisi hetimet pas video-skandalit të publikuar në media, ku fisi Rraja dhunoi me shkopa bejsbolli dhe sende të forta Bilbil dhe Jashar Majën.

Edhe pse në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Prokuroria ka nisur hetimet që në qershor, banorët thonë të kundërtën.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke marë shkas nga interesimi i mediave, në bazë të njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit dhe në vijim të informacioneve të dhëna rreth konfliktit të ndodhur në Borizanë, ju bën me dije se:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, më datë 18.05.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.3223 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Me shkresën Nr.6422, të datës 25.05.2023, dosja i është deleguar për kryerjen e veprimeve hetimore Komisariatit të Policisë Krujë.

Në vijim të materialit të referuar me nr.1466 nga Komisariati i Policisë Krujë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më datë 19.06.2023 ka regjistruar procedimin penal nr.3872 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 të Kodit Penal. Çështja vijon ende në fazën e hetimeve paraprake.

Më herët gjatë ditës së sotme ishte Policia e Shtetit e cila i kalo topin Prokurorisë.

Përmes një njoftimi zyrtar Policia bëri me dije se ka kryer të gjitha veprimet konform ligjit.

Gjithashtu policia theksoi se janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara.

Kujtojmë që 4 persona janë arrestuar dhe 5 të tjerë janë në kërkim pas dhunës me shkopinj bjsbolli dhe grushte ndaj dy anëtarëve të fisit Maja, të cilët ishin ankuar për zhurmat e krijuara dhe plasjet në një gurore në Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, vëllait të deputetit Rrahman Rraja./Albeu.com.


Shtuar 10.07.2023 15:44