Nis regjistrimi i popullsisë
Ka nisur procesi i censusit të popullsisë dhe banesave, i cili sipas autoriteteve do të realizojë një panoramë e qartë e zhvillimeve ekonomike e sociale si dhe dinamikat e zhvillimit të popullsisë.

Përgatitja e këtij procesi u shoqërua me polemika të shumta për shkak të përfshirjes në pyetësor të deklarimit të kombësisë dhe përkatësisë fetare.

Ministri i Inovacionit Genc Pollo, njkohësisht edhe kryetar i komisionit të Censusit bëri thirrje që të lihen pas polemikat dhe të gjithë të bashkëpunojnë për realizimin me sukses të këtij procesi.

"Dhe unë do të apeloja te secili prej tyre që, me krenari të bashkëpunojnë me censusin, me krenari të deklarojnë të dhënat e veta, d.m.th. të banesës, të familjes, të personit, te anketuesi përkatës, sepse në këtë mënyrë jep një kontribut për vendin, një kontribut për veten, një kontribut i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kjo, në mënyrë që të kemi rezultate të sakta dhe të besueshme, sepse me këto rezultate, të gjitha nivelet e vendimmarrjes, nga niveli i lartë qendror, deri te niveli individual do të kemi një mundësi, një instrument më shumë për të përmirësuar jetën tonë", tha ministri Pollo.

Ndërkohë përveç Aleancës Kuq e Zi, kundër censusit është deklaruar PBDNJ, sipas kreut të së cilës, Vangjel Dule ky regjistrim dëmton realitetin e minoriteteve në vend.

15.000 regjistruesit zyrtarë, të trajnuar nga Instituti i Statistikave, do të trokasin në dyert e shqiptarëve për të filluar procesin e regjistrimit, ndërsa ky procesi do të zgjasë deri më 21 tetor.

Sipas INSTAT-it, përkatësia etnike dhe ajo e besimit mbetet në dëshirën e deklaruesit ta bëjë të njohur apo jo, pra nuk është detyrim. /albeu.com/



Shtuar më 01/10/2011, ora 08:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori