Nikolla: Universiteti i Gjirokastrës nuk do mbyllet
Pëlqej
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë një konference ka deklaruar se kjo qeveri po kërkon që situata e cilësisë së mësimdhënies në universitete, të jetë krejtësisht tjetër nga kjo aktuale.

“Duam që situata e cilësisë të jetë krejtësisht tjetër, duke u dhënë krahë të gjitha ëndrrave të familjeve dhe studentëve shqiptarë.

Tarifat e reja do të jenë 20 mijë lekë dhe 45 mijë lekë, një rritje mesatare me 17 lekë në ditë. Kemi respektuar kërkesat që vinin nga të gjitha IAL-të publike, por jo në masën e kërkuar prej tyre, por në atë të lejuar.

Kjo rritje do të kthehet në rritje të cilësisë nesër”, tha ministrja Nikolla. Në fjalën e saj, ajo bëri me dije se vetëm 72% e maturantëve që u përfshinë në maturën shtetërore këtë vit, i'a dolën me herën e parë.

“Janë 1655 studentë me mesataren mbi 9 dhe 19. 949 me mesatare mbi 6 e deri në 9. Këto rezultate do të na mësojnë një histori të re drejt cilësisë, duke nisur me një prioritet të ri, që në arsimin parashkollor”, tha ajo.

“Ne kemi zgjedhur një komunikim të ri dhe për këtë janë dëshmitarë stafet akademike, studentët, rektoratet dhe prindërit. Ne nuk firmosëm qorrazi çdo kërkesë, por shqyrtuam me kujdes historinë e gjithë këtyre viteve në degë të caktuara.

Kemi mbyllur filiale që rezultonin me mesatare të papranuara. Ne drejtuam gishtin nga vetja dhe mbajtëm përgjegjësi vetëm përmes të vërtetave”, deklaroi ministrja.

Në lidhje me universitetin e Gjirokastrës, ajo informoi se do të mbyllen vetëm disa filiale dhe jo i gjithë universiteti.

“Nuk do të mbyllet, por nuk do të ketë kuota për ato profile që nuk do të kenë më pak se 10 studentë. Universiteti i Gjirokastrës do të vijojë duke u zhvilluar me cilësi dhe duke u mbështetur nga qeveria. Kriteret e ligjshmërisë nuk janë sajuar, as nuk janë kopjuar standarte nga vendet e tjera, por i'u referuam ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri”, u shpreh Nikolla. /albeu.com/
Shtuar më 08/08/2014, ora 17:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori