"Ngrin" Fierza, shkakton faturën 40 milion euroshe
Dëbora dhe ngricat vazhdojnë të mbajnë peng prodhimin e energjisë elektrike në kaskadën e Drinit. Mësohet se niveli i Fierzës është rritur vetëm me 2 metra gjatë javës së fundit, duke shkuar në kuotat e 267 metrave.

Pjesa dërrmuese e konsumit të energjisë në vend po plotësohet nga importi. Elton Sevrani, drejtori i shitjeve në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, tregon e se OSHEE ka blerë energji në tregun privat edhe për javën e parë të muajit Shkurt duke shpenzuar një buxhet prej afro 4 milionë Eurosh.

Në Janar fatura e importeve për kompaninë e shpërndarjes kapi vlerën e 35 milionë Eurove. OSHEE pret një rënie të konsumit të energjisë me 15% për Shkurtin, çka do t’i kursejë asaj një buxhet prej 13 milionë Eurosh.

Elton Sevrani thotë se pavarësisht rënies së prodhimit të energjisë, blerja në treg të lirë e saj do të bëhet me fondet e kompanisë dhe nuk do të ketë impakt në buxhetin e shtetit.

Gjatë pjesës më të madhe të vitit që shkoi, importet e energjisë nuk zinin më shumë se 30% të konsumit, ndërsa në muajt e fundit energjia është bërë e vështirë për t’u siguruar dhe çmimi i saj në bursa vijon të rritet./tv klan/
Shtuar më 03/02/2019, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori