Ngjela: Të investojmë në intelektin e lartë, Berisha shkatërroi arsimin me universitetet private
Pëlqej
Spartak Ngjela, me anë të një shkrimi të postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, është ndalur sot në diskutimin për universitetet.

Për të diskutuar në lidhje me propozimin për mbylljen dhe pezullimin e shumë institucioneve të arsimit të lartë shqiptar, Ngjela nënvizon se ka ardhur koha që të fillojë investimi në intelektin e lartë të shqiptarëve.

Për të, Berisha shkatërroi arsimin me universitetet private, ndaj është koha për të hetuar në lidhje me shitjet e diplomave.

Ja se çfarë shkruan Spartak Ngjela:

O tempora o mores!

Me mbylljen e 17 Pseudouniversiteteve Private, a do të fillojë në Shqipëri epoka kur të këtë marrë fund lufta kundër racionalizmit dhe intelektualizmit? O tempora o mores!...

Nuk di se cfarë të them, sepse ajo tani është shumë e vjetër. Ati intelektualizmi agresiv u shfaq në Shqipëri në vitin 1945, por ai u ngrit në sistem në vitin 1967. Hordhitë e Enver Hoxhës të 6 shkurtit 1967, krijuan sistemin kundër racional dhe anti intelektual, i cili, me anë të Shkollës së Partisë, i'u dha diploma injorantëve që këta pastaj të dhunonin intelektualët, duke i drejtuar ata në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Sado që hoxhizmi i kishte frikë intelektualët, për asnjë çast nuk lejoi që nota të shitej në univeristet apo në gjimnaz. Shkolla e Partisë, ishte vetë zbulimi për të larguar intelektualët nga administrimi i lartë shtetëror. Intelektuali ishte armik potencial i regjimit. Ky ishte regjimi hoxhist i dhunës dhe i të ashtëquajturve punëtarë që drejtuan shtetin, me histerinë e urrejtjes së tyre kundër intelektualëve shqiptarë. Por atëherë hoxhizmi s’e kuptoi dot që pikërisht kjo histeri anti intelektuale do ta groposte vetë hoxhizmin.

Në vitin 1991, teksa po binte komunizmi, u mendua me të drejtë se arsyeja perëndimore që po rilindte në Shqipëri, do ta shkatërronte përfundimisht antilektualizmin hoxhist. Por nuk ndodhi kështu. Ardhja në pushtet e Sali Berishës si absolut në vitin 1992, vijoi doktrinën hoxha të atiintelektualizmit, por me metoda të tjera: sërish intelektualët do të damkoseshin, por këtë herë jo si “armiq të socializmit”, por si “shërbyes të komunizmit”. Prandaj, filloi reforma arsimore për të eliminuar akademizmin shqiptar: Universiteti Banal i Plepave Durrës, shitja e notës dhe prishja e 90 përqind të instituteve shkencorë, ishte reforma Berisha. Shkencëtarët shqiptarë sot punojnë në perëndim; te dëbuar e të lënë pa punë nga reforma Sali në akademizmin shqiptar.

Rrëzimi i Berishës më dhunë në vitin 1997, sikur nisi ta përmirësojë këtë gjendje, por sërish shkolla mbeti në degradim; derisa rikthimi i Saliut në vitin 2005, e kaloi antiintelektualizmin sërish në sistem. Por, tani, në vend të Shkollës së Partisë, u krijuan universitetet private që duhej të inondonin vendin me diplomim injorantësh dhe pastaj, këta injorantë të diplomuar, të drejtonin shtetin. Ky do të ishte shteti dhe shoqëria saliiste: një injorancë që të shuante gjithçka intelektive në Shqipëri.

Rrëzimi i Saliut dhe mbyllja e 17 universiteteve banalë, sikur e ndërpreu dje këtë gjëmë antiintelektuale në Shqipëri. Por beteja duhet të vijojë deri dhe te anullimi i diplomave me ligj. Një audit dhe një hetim i thellë duhet bërë në këta universitete, dhe ndonëse prokuroria është e Saliut, domethënë e antintelektualizmit, duhet bërë presion të fillojë hetimi radikal për shitjen e diplomave. Në Shqipëri duhet të fillojë beteja reale për racionalizmin e mohuar që nga viti 1945. Ky është një “revolucion në intelekt”, dhe duhet bërë patjetër. Asnjë popll nuk ka barazi ndaj intelektit; dhe intelekti i lartë i një populli është vetë vlera universale e atij populli. Këtë ka dashur t’iu heqë shqiptarëve hoxhizmi në fillim dhe Sali Berisha në këta 20 vjet.

A do ta fillojmë betejën për shkollën racionale, të rreptë dhe me sistem vlerësimi të pakorruptuar ne Shqipëri? Kriza jonë është e gjitha në menaxhment, sepse kemi pasur vazhdimisht një shkollë joracionale dhe të dhunuar më kast nga antiintelektualizmi. Duhet të fillojë revolucioni racional i shkollës në Shqipëri ! … Duhet të fillojë realisht investimi në intelektin e lartë të shqiptarëve…", shkruan ai. /albeu.com/
Shtuar më 05/08/2014, ora 16:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori