Ngec parlamenti i ri, s’ka kredi
Bisedimet mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite për dhënien e kredisë për ndërtimin e parlamentit të ri për momentin kanë mbetur pezull. Qeveria shqiptare i ka kërkuar Arabisë Saudite që të ulë interesin e kredisë që do lëvrohet për nisjen nga puna të ndërtimit të këtij projekti, por Arabia Saudite nuk pranon të ulë masën e interesit të kredisë.

Arabët kanë marrë përsipër financimin e parlamentit shqiptar por pika ku palët po hasin vështirësi është pikërisht tek interesi që do të paguajë Shqipëria. Për këtë fakt ende nuk ka një vendim përfundimtar ndërkohë që pritet që bisedimet të nisin sërish në muajin shtator mes ministrisë së financave të Shqipërisë dhe asaj të Arabisë Saudite.

Kosto financiare e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar është parashikuar të jetë 100 milionë euro, por fatura e saktë e ndërtimit të parlamentit të ri nuk është parashikuar e llogaritur në projektligjin e miratuar në Kuvend.

Parlamenti votoi në fund të muajit korrik pro ngritjes së kompleksit të ri parlamentar, duke i hapur kështu rrugë prishjes së Piramidës.

Kryeministri Sali Berisha garantoi shqiptarët se qeveria nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë më tepër sesa do të shpenzonte për rikonstruksionin e godinës aktuale të saj, por mesa duket kjo kosto do jetë shumë më e madhe. /albeu.com/
Shtuar më 24/08/2011, ora 09:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori