Pas Kushtetueses, edhe Gjykata e Lartë jashtë funksionit
Pas shkarkimit të gjyqtarit Edmond Islamaj, Gjykata e Lartë mbetet vetëm me dy anëtarë duke dalë krejtësisht jashtë funksionit.

Ashtu si Gjykata Kushtetuese, edhe ajo e Lartë, tashmë është futur në ngërç në një kohë që numri i dosjeve që presin të shqyrtohen, ka shkuar rreth 31 mijë. Deri tani, Gjykata e Lartë ishte duke punuar me ritme të shpejta dhe kishte dhënë disa vendime urgjente, që mund të zgjidheshin me anëtarët e mbetur.

Në Gjykatë për momentin janë vetëm kreu, Xhezair Zaganjori, dhe Ardian Dvorani. Ky i fundit është edhe drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, Xhezair Zaganjori pritet që shumë shpejt të fillojë “betejën” në Shkallën e Dytë të vetingut, pas ankimit të Komisionerit Publik, bërë vendimit të konfirmimit në Shkallë të Parë.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili tha se pasojat e kësaj gjendjeje do t’i vuajnë vetëm qytetarët dhe biznesi.

“Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj (të cilin e njohin të gjithë si një gjyqtar korrekt), ka si qëllim të vetëm mbylljen përfundimtare të Gjykatës së Lartë. Nga sot, Shqipëria është jo vetëm pa Gjykatë Kushtetuese, por dhe pa Gjykatë të Lartë. Nga sot nuk mund të shqyrtohet ASNJË nga 40.000 dosjet që prisnin në radhë dhe drejtësia përfundimisht është futur në kolaps total. Dhe në këtë pikë, ata që vuajnë nga mungesa e ekzistencës së një sistemi gjyqësor normal hierarkik, janë pa dyshim qytetarët e thjeshtë dhe po aq shumë biznesi. Sikur Gjykata e Lartë të krijohet në fund të vitit kur të jenë më shumë se 60.000 dosje, çdo qytetari dhe çdo kompanie do t’i duhej të paktën 7-8 vjet pritje për t’i ardhur radha”, shkruan Halimi.

Edmond Islamajn u shkarkua nga detyra pasi ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë dhe pamjaftueshëm të pasurisë duke u bërë kështu i pabesueshëm.
Shtuar më 23/05/2019, ora 13:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori