Nga sot, kjo nuk është vetëm protesta e studentëve
Pëlqej
Albeu.com
Kush mendon se kjo është vetëm një protest e studentëve që u ka ardhur në majë të hundës me tarifat e studimit dhe kushteve fizike në fakultete, gabohet.

Kur kanë nisur protestat kundër ndryshimeve në ligjin klientelist të Arsimit të Lartë, ai grusht studentësh që gjuanin me vezë e bojë Ramën dhe Nikollën atëherë ndoshta nuk do ta kishin menduar se sot organizimi i tyre do të rrezikonte seriozisht jo vetëm maxhorancën por edhe të gjithë klasën e korruptuar politike të Shqipërisë.

Protesta e tyre po bën aq bujë dhe po merr aq shumë mbështetje sa nga sot është kthyer në një protestë të shqiptarëve kundër arrogancës së qeverisë, rritjes së paimagjinueshme të kostos së jetesës në Shqipëri; vendosjes së shtetit në shërbim të oligarakëve si edhe shkatërrimit të shpresës duke detyruar mijëra të rinj që të ikin nga sytë këmbët nga ky vend.

Pikërisht, duke qenë një nuhatës i mirë, Rama po tenton që ta shfryjë që në fillim këtë mllef ndaj tij duke shfuqizuar tarifat për rimarrjen e lendëve të mbetura dje dhe duke bërë thirrje për paqe nesër. Nëse presioni vazhdon prej studentëve, nga e hëna Rama mund të ofrojë diçka edhe më të madhe. Pse jo edhe "kokën" e Lindita Nikollës.

Rama nuk negocion kollaj me ata që ka në sheshe. Ulet të flasë vetëm kur e sheh që po i rrezikohet seriozisht pushteti. Kështu bëri me protestat e armëve kimike, kështu po bën edhe tani.

Ata 20 vjeçarë që kanë sot pankartat më origjinale të këtyrë viteve të fundit në fakt mbajnë peshë irritimin e shqiptarëve nga kësaj klase politike që erdhi me shpresa të mëdha për "ndryshim" dhe për të "rilindur" por po kontribuon vetëm në zbrazjen e vendit.

Prandaj kjo protestë nuk është vetëm e studentëve! Nuk është çudi që nesër e në vijim të shohim edhe mosha të tjera në shesh që i kanë thënë "sikter" politikës dhe protestojnë për hallet e tyre të përditshme dhe kundër një klase politike që vetëm vjedh! /albeu.com/

Shtuar më 07/12/2018, ora 15:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori