Nga Erjeta te Fildezja, krimet e tmerrshme që morën jetë grash
Pëlqej
Ekzekutimi i Fildeze Hafizit nga burri, më saktë i ati i dy fëmijëve të saj, nuk është rasti i parë tronditës. Prej vitesh preceden ti i këtij krimi ka jetuar me ne. Madje duket se edhe është pranuar nga ne, së pari si shoqëri dhe më pas si institucione, e kryesisht nga vetë sistemi i drejtësisë si një prej frymëzuesve të vazhdueshëm të krimeve të tilla.

Vrasja me plumb në kokë e gruas 39 vjeç, një prej emrave më të përfolur të magjistraturës në vendin tonë, përbën rrezik për faktin se gruaja kishte lajmëruar gjithë institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare për fatin që po e priste. Përveç tyre kishte njoftuar edhe miq dhe të njohur, e ndërsa familja, nëna dhe i ati, që të dy të moshuar dhe të sëmurë, kishin jetuar prej vitesh me kërcënimet serioze që ushtronte Fadili mbi vajzën dhe njeriun e tyre. Askush nuk ndërhyri!

Askush nuk mori iniciativën të parandalonte një prej goditjeve më të mëdha që iu bënë gjinisë femërore në këto afër tri dekadash, ndërsa ky rast i paprecedent na fut në historinë e përgjakshme të vrasjeve brutale të grave në vendin tonë. Që nga atentate, zhdukje, masakrime e deri në prerje kokash, historia e dhunës mbi gruan në Shqipëria vijon të prodhojë raste të frikshme për një popullsi kaq të vogël sa kjo e jona.

Ekzekutimi në pritë i nënës së dy fëmijëve, i një emri të njohur gjyqësori nga njeriu me të cilin kishin kaluar plot 15 vite të jetës së tyre, të çon pas në kohë, atje ku ende rrëqethin vrasje barbare, akte kriminale të pashembullta dhe madje edhe të paperceptueshme për një pjesë të mirë të njerëzve në Shqipërie. Na çon pikërisht tek rasti i Erjeta Avdylit, gruas së rrallë, që u zhduk për ditë me radhë dhe më pas u gjend e masakruar!

Pas saj, krimi mbi gruan nuk njeh kriter ndërsa emrat dhe historitë e tyre më shumë se nëpër dosje prokurorie, vendime gjykatash gjenden nëpër faqe gazetash dhe memorie gazetarësh. Zhdukja pa gjurmë e Irena Selit, prita e që solli vrasjen makabre të Fatmira Dedës dhe që policia dhe as prokuroria kurrë nuk dhanë asnjë informacion për një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në kë- to vite, e deri te prerja e kokës se Aishe Vatës tregojnë se shoqëria shqiptare ka pranuar një prej devijime më të çuditshme të individit!

Erjeta… dhe hetimet vazhdojnë “Kanë kaluar 13 vjet që nga vrasja e Erjetës, para edhe pas saj vazhdohet të këtë viktima. Çdo ditë dëgjojmë se si vriten e priten gratë, me sëpatë, me armë të ngrohta e të ftohta. Ku na çojnë këto krime, ku na çojnë? Prandaj është koha t’i thuhet stop kësaj dhune”! Kështu do të shprehej në një nga intervistat e saj 13 vite pas vrasjes Remzie Sokoli, e ëma e Erjeta Avdylit.

Ajo apelonte pas një mori krimesh monstruoze që iu ndodhnin femrave në vendin tonë, ndërsa historia e së bijës trondiste sa herë bëhej e mundur të rihapej çështja e saj nga ndonjë vendim gjykate në Tiranë. Trupi i Erjetës u zhduk në marsin e vitit 2000 dhe u gjend pas 45 ditësh.

Asokohe policia arrestoi bashkëshortin e saj, por më pas u la i lirë për mungesë provash. Prindërit e saj luftuan me drejtësinë dhe me të gjithë komponentët e zbulimit të atij krimi për vite e vite me radhë por asnjëherë nuk arritën dot jo vetëm të gjenin vrasësin e së bijës së tyre por madje as të ngushëlloheshin me veprimet hetimore ndonjëherë.

Ngjarja horror e saj kohe, u duk si një prej krimeve më të rënda që kishin ndodhur ndonjëherë dhe shumë kush u rrek të besonte se dora vrasëse ndaj gruas do të ndalonte dhe do të merrnin fund krimet e tilla, por menjëherë pas saj në skenë del një tjetër zhdukje. Zhdukej që sot e asaj dite jo vetëm që nuk ka autor po madje policia dhe as prokuroria kurrë nuk gjetën shkakun e asaj zhdukjeje.

Gruaja, edhe pse është pagjurmë, gjykata e ka shpallur të zhdukur, gjithnjë është përfolur si një ikje për të jetuar në një vend tjetër edhe pse zhdukja ndodhi në sheshin e trageteve në Durrës. Bëhet fjalë për Irena Selin, gruaja e një prej biznesmenëve më të njohur në vend aso kohe, e cila u tha se nuk zbriti fare nga trageti por u kthye pas për të shkuar në Itali dhe për të jetuar me një person tjetër.

Në fakt nuk u mor vesh asnjëherë se cila pistë u hetua nga prokuroria por u përfol për ndonjë krim brenda në traget, ndërsa nuk mbeti jashtë përfshirjes edhe i shoqi i saj, por vetëm i dyshuar. Asgjë më shumë. E madje asnjë e dhënë tjetër nuk u bë zyrtare nga Prokuroria në lidhje me atë zhdukje që datonte 16 dhjetorin e vitit 2004.

Krime pa autor, vrasësit e birit eliminonin edhe nënën

Viti 2012 ishte një prej viteve ku krimi mbi femrën nuk nji hte më asnjë lloj kufiri. Rasti – i Aishe Vatës, ku një burrë i moshuar u tha se i mori jetën me prerje koke një vajze që ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç trondit gjithë opinionin. Autori i arrestua por tronditja vijoi përgjatë hetimeve, dëshmive dhe më pas një konkluzioni të frikshëm që dha prokuroria në gjykatë teksa do të jepej edhe vendimi për 82-vjeçarin vrasës.

Por ndërsa nëpër zona të ndryshme gratë masakroheshin më sëpata, thika, plumba kallashnikovi, pistolete e çifteje, në Durrës një vit më vonë një tjetër krim i rëndë do të ndodhte në garazhin e një pallati. Gruaja që drejtonte drejtorinë e Shëndetit Publik të Kavajës masakrohet pikërisht teksa merrte furnizimin e shtëpisë dhe nisej për tek ashensori i pallatit në të cilin banonte e vetme.

Gruaja, 60 vjeçe, një vit më parë kishte mbuluar me dhe të birin, djalin e vetëm të saj i cili u vra në një atentat të bujshëm në Golem, ndërsa u mësua se gruaja nisi të gjurmonte e vetme si vrasësit e djalit. Ata, si duket ishin më të shumë dhe më të fuqishëm. Fatmira Deda u gjet e masakruar me mjetet prerëse.

Policia dhe prokuroria aso kohe bënë me dije se po hetonin një sërë pistash por kurrë nuk u fol më për atë krim të rëndë. Askush nuk u kujtua më për atë ngjarje dhe as për të treguar se cili mund të kishte qenë shkaku real i vrasjes. Po ashtu, një tjetër krim i rëndë, ku gruas i është bërë pritë është edhe ai i Eleni Bashos, gruas së re laborante së cilës iu bë pritë në një natë të errët.

Në fakt viti 2013 ka qenë një vit i çmendur për krimet në familje e kryesisht kundër grave, ndërsa vetëm pak ditë para se Fadil Kasë- mi të ekzekutonte bashkëshorten e saj, në Plug të Lushnjës burri e ndoqi me vrap të shoqin dhe ia mori jetën duke e goditur me sqepar, ndërsa në Bathore burri i merr jetën me çifte të shoqes dhe më pas edhe vetes, pas një zënke në familje por pa mundur askush të merrte vesh të vërtetën e asaj historie.

Të dhënat policore në lidhje me krimin ndaj gruas janë gjithnjë e në rritje, ndërsa në gjykata e vendit gjenden me dhjetëra urdhra mbrojtjeje për gratë, por që asnjëherë nuk kanë qenë shpëtimtaret e tyre, pasi nën këtë urdhër kanë ndodhur me dhjetëra krime ndër vite, ndërsa para ekzekutimit të gjyqtares Hafizi, alarmi i madh erdhi nga Fieri, kur burri, hodhi nga dritarja e banjës gruan e tij, ndonëse e ndjera ishte me urdhër mbrojtjeje!

Ngjarjet tronditëse të kohëve të fundit

31 Gusht 2017

Gjyqtarja Fildez Hafizi, nënë e dy fëmijëve u qëllua për vdekje me një plumb në kokë nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi. Ngjarja e rëndë ndodhi në mesditë, në prani të shumtë të qytetarëve. 53-vjeçari kishte më shumë se një orë që priste të ekzekutonte ish-gruan e tij, pas refuzimit të kësaj të fundit për t’u kthyer përsëri me Kasemin. Dy vite më parë ata ishin divorcuar.

20 Gusht 2017

Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur. Burrë ka vrarë gruan me armë zjarri dhe më pas edhe veten, pas një debati në familje, në zonën e njohur si Frutikultura, në Kodër Kamëz. Halil Lita, 65 vjeç, qëlloi me automatik në drejtim të bashkëshortes, Dije Lita, 60 vjeçe.

8 Maj 2017

74-vjeçari Beqir Xhilaj ka vrarë me çifte bashkëshorten e tij në fshatin Guci e Re, në Shkodër. Uniformat blu kanë raportuar se, fillimisht morën njoftim se gruaja ishte vetëvrarë në banesë. Por e vërteta ishte krejt tjetër. 45-vjeçarja ishte vrarë nga bashkëshorti, gjë të cilën e pranoi edhe ai vetë.

23 tetor 2016

Këtë herë, krimi në familje ka tronditur në Ndroq të Tiranës. 56-vjeçari Kasëm Lila ka qëlluar për vdekje ndaj bashkëshortes së tij dhe ka lënë të plagosur kunatën e tij. Ngjarja ka ndodhur për arsye banale. Kasëm Lila vuante nga depresioni dhe kishte disa kohë që nuk merrte KEMP.

24 Korrik 2016

Burri ka goditur disa herë me thikë bashkëshorten, duke i shkaktuar vdekjes. Autori i krimit, Kovaç Goxhaj kishte konsumuar pije alkoolike. Bashkëshortja e tij 52-vjecare Resmije Goxhaj, ka gjetur vdekjen nga hemorragjia si pasojë e plagëve nga goditjet e thikës të cilat i kishin dëmtuar rëndë organet jetësore.

4 Dhjetor 2016

Një ngjarje e rëndë u shënua në Fier. Një 43-vjeçare, Liljana Zhehza, nënë e dy fëmijëve u vra mizorisht nga bashkëshorti i saj. Ky i fundit, Ferdinand Rukaj, hodhi nga dritarja e tualetit në katin e katërt bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ishte e pajisur me urdhër-mbrojtje, por nuk ia doli dot të mbrohej nga personi që kishte në krah.

1 Janar 2016

Afrim Uzo nga Saranda, ditën e parë të vitit të ri ekzekutoi bashkëshorten e tij me breshëri automatiku në sytë e dy fëmijëve. Në momentin kur ndodhi ngjarja, viktima ishte në një dhomë me vajzën. Ngjarja ndodhi natën e ndërrimit të viteve, ku Liljana Uzo kishte marrë urdhërmbrojtje për shkak të konflikteve me të shoqin.

15 Gusht 2015

Në fshatin Proptisht të Mokrës, Zamir Çekani, 40 vjeç, ka lidhur me litar në fyt dhe e ka goditur dy herë me thikë bashkëshorten e tij I. Çekani, 35 vjeçe, duke i marrë jetën. 35-vjeçarja ishte gruaja e dytë e Zamir Çekanit. Ai njihej si person i dhunshëm jo vetëm ndaj bashkëshortes, por edhe prindërve të tij.

9 Dhjetor 2012

Një 34-vjeçare e cila priste të lindte fëmijën e saj të tretë është bërë viktimë e dhunës së bashkëshortit. Ngjarja është shënuar në Orikum të Vlorës. Shpëtim Çeliku, 35 vjeç, vrau me sqepar bashkëshorten e tij shtatzënë 6 muajshe, Manushaqe Çeliku, 33 vjeçe, në sy të 2 vajzave të mitura, 3 dhe 7 vjeç. Për dy ditë rresht në sy të vajzave të mitura Shpëtim Çeliku, ka torturuar bashkëshorten duke e goditur me sqepar në trup dhe në kokë.

25 Janar 2011

Në lagjen 18, në Durrës, janë gjetur të vrarë me armë zjarri në banesën e tyre shtetasit Ded Malndrea, 54 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Marte e Malndrea, 52 vjeçe. Nga hetimet e bëra nga grupi hetimor, ka rezultuar se bashkëshorti ka kryer vrasjen më parë të gruas së tij dhe më pas është vetëvrarë. Momentin e ngjarjes, çifti ka qenë i vetëm në banesë, ndërsa dyshohet se motiv ka qenë xhelozia.

6 Gusht 2013

Fati i Dallëndyshe Jazxhi, 50 vjeç ishte vulosur nga burri i saj. Gruaja u vra dje me një plumb në ballë nga i shoqi Edmir Jazxhi, 51 vjeç. Ajo e kishte paralajmëruar më shumë se njëherë dhunën që i shoqi ushtronte ndaj saj. Rezultoi se drejtësia dhe policia ka qenë në dijeni të dhunës së vazhdueshme që autori Edmir Jazxhi, ushtronte ndaj së shoqes.

Gjykata e Tiranës kishte lëshuar dhe urdhër mbrojtjeje për 50-vjeçaren që kërcënohej nga i shoqi. Dallëndyshe Jazxhi kishte kërkuar dhe divorcin, por i shoqi nuk pranoi kurrë ta jepte. Burri e vrau të shoqen me pistoletë dhe më pas ka qëlluar edhe veten, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Irfan Tomini”, pranë bllokut të vilave në zonën e Selitës në Tiranë. /shekulli.al/
Shtuar më 04/09/2017, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori