I tha LIVE nënës se i ka vdekur vajza, reagon KSHM: Shkelje e rëndë e Kodit të Etikës, të kërkohet falje publike!

Lajmi për vdekjen e 22-vjeçares Brisilda Nexhipi tronditi opinionin publik, jo vetëm për faktin që ndërroi jetë tragjikisht dhe në moshë të re, por edhe sepse lajmi iu dha nënës së saj gjatë një transmetimi live në television.

Pas kësaj ngjarjeje drejtuesja e emisionit “Pa Gjurmë”, Odeta Dume u “kryqëzua” nga publiku duke marrë qindra komente negative.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Këshilli Shqiptar i Medias dhe e cilëson ngjarjen si shkelje të rëndë të Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar.

KMSH  i bën thirrje Report Tv dhe gazetares që të kërkojnë ndjesë publike ndaj nënës së viktimës.

Reagimi i plotë:

“Reagim mbi një episod në programin Pa Gjurmë

KSHM reagon me shqetësim për një episod të rëndë të ndodhur në emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, ku një nënë që kërkonte fëmijën e saj në lidhje Skype u informua live që e bija të cilën ajo shpresonte ta gjente përmes emisionit, kishte vdekur.

Ky rast përbën një shkelje të rëndë të Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar, përkatësisht Nenit 12, mbi “Raportimin e aksidenteve dhe fatkeqësive” ku shprehimisht thuhet: “Gazetarët duhet të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre” si dhe “Viktimat apo personat e zhdukur nuk duhen identifikuar nëse të afërmit e tyre nuk janë informuar më parë.“

Programet e gjetjes së të humburve janë programe me vlerë të madhe shoqërore, por, kërkojnë që dhe etika e trajtimit të rasteve të jetë në maksimum.

KSHM i bën thirrje televizionit Report TV dhe moderatores, që t’i kërkojnë falje publike nënës së dëmtuar, si dhe gazetarëve të emisionit që të jenë më të përgjegjshëm.

Duke mos qenë rasti i parë kur raportimi i aksidenteve apo fatkeqësive bëhet në mënyrë jo-etike, po publikojmë të plotë nenin 12 më poshtë:

Neni 12. Raportimi i aksidenteve dhe fatkeqësive

Gazetarët duhet të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre dhe duhet të lejojnë njerëzit të mbajnë zi privatisht duke i raportuar tema të tilla me simpati dhe vetëpërmbajtje.

Në raste aksidentesh dhe fatkeqësish, media duhet të mbajë parasysh që operacionet e shpëtimit për viktimat dhe personat në rrezik kanë përparësi kundrejt të drejtës së publikut për t’u informuar.

Media duhet të mos sensacionalizojë raportimin me foto eksplicite të katastrofave, aksidenteve apo dhunës që mund të fyejnë ndjenjat e të afërmve të të prekurve si dhe ndjeshmërinë e publikut.

Viktimat apo personat e zhdukur nuk duhen identifikuar nëse të afërmit e tyre nuk janë informuar më parë.”

Ndërkohë ditën e djeshme, gazetarja Odeta Dume përmes një videoje të publikuar në Instagram i kërkoi  falje nënës së Brisildës, familjarëve si dhe të gjithë teleshikuesve të cilët u tronditën nga kjo histori.

Gazetarja pranoi se mënyra si ajo dha lajmin ishte e gabuar./Albeu.com/


Shtuar 8.04.2023 14:31